E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me një plumb 38-vjeçari



POGRADEC/ GEZIM ASHIMI

Ekzekutohet me armë zjarri 38-vjeçari në mes të Pogradecit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30 të së premtes kur viktima Festim çekiçi u qëllua me një plumb në kokë, vetëm pak metra larg komisariatit të policisë. Për pasojë, babai i dy fëmijëve ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori mundi të humbasë gjurmët pa u identifikuar. Sipas policisë, 38-vjeçari me origjinë nga fshati Starovë i këtij rrethi jetonte me familjen e tij në një apartament pranë vendit ku u qëllua për vdekje. çekiçi sapo do të futej në një rrugicë për të shkuar më pas në shtëpinë e tij, kur është qëlluar një herë në kokë me armë zjarri pistoletë. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e vetme pistolete, e cila i ka kaluar laboratorit të kriminalistikës, me qëllim veprimet e mëtejshme balistike. Plumbi në kokë lë vend për dyshime se autori e ka kryer krimin me paramendim për t’i shkaktuar vdekjen e menjëhershme viktimës. Sipas të dhënave të para që i referohen hetimeve, autori i krimit i ka ardhur përballë viktimës së tij, duke e qëlluar pa asnjë paralajmërim. Edhe pse janë kryer hetime intensive për vrasjen që tronditi qytetin e Pogradecit, policia ende nuk ka identifikuar autorin apo sqaruar rrethanat e saj. Burime nga policia bënë të ditur se për zbardhjen e ngjarjes së rëndë po hetohet në disa pista, ndër të cilat më e mundshmja janë borxhet që viktima mund të kishte pasur. Kjo, për shkak se çekiçi, sipas policisë luante edhe në lojërat e fatit. Veç kësaj piste, një tjetër dyshim i policisë lidhet edhe me ndonjë konflikt të çastit. Viktima gjithashtu njihej si një person mjaft problematik për shkak të mbidozave të alkoolit. Bazuar te dëshmitë e personave të ndryshëm, banorë të qytetit të Pogradecit, 38-vjeçari bëhej agresiv në momentet kur pinte, ndaj blutë janë duke hetuar të gjithë vendet dhe lokalet ku ai ka qenë para se të ekzekutohej, personat me të cilët ai është shoqëruar si dhe ndonjë zënkë të mundshme me ndonjërin prej tyre. Ndërkaq nuk përjashtohet edhe pista e një hakmarrjeje lidhur me të kaluarën e viktimës, por blutë nuk detajuan informacion më tepër në lidhje me këtë. Të paktën 15 persona të dyshuar për ngjarjen apo nga rrethi i të njohurve të 38-vjeçarit çekiçi janë marrë në pyetje nga Policia e Pogradecit, e cila dyshon se autori i vrasjes mund të jetë një person nga rrethi i të njohurve të tij. Por, policia ende nuk ka siguruar provat e të dhënat e nevojshme për t’i adresuar vrasjen ndonjërit prej tyre. Edhe gjatë ditës së djeshme policia ka marrë në pyetje disa persona të cilët mund të kenë dijeni për të gjitha lëvizjet e viktimës nga Pogradeci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›