Itali; Kapen me 145 kg marijuanë, arrestohen dy shqiptarë
Një sasi e konsiderueshme droge, e cila dyshohet se vinte nga Shqipëria, është bllokuar dy net më parë në brigjet detare të Leçes, e fshehur në një pyll me pisha. Në pranga kanë rënë dy shqiptarë. Sipas mediave italiane, të cilat u referohen burimeve zyrtare policore, Guardia di Finanza e Leçes ka zbuluar dhe sekuestruar 145 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë me vlerë 800 mijë euro, e cila dyshohet se ka mbërritur në Itali me një gomone nga Shqipëria. Lënda narkotike e ndarë në disa pako është sekuestruar 20 kilometra në juglindje të qytetit të Leçes, e fshehur në një pyll me pisha. Policia bën të ditur se nuk dihet ende nëse ata janë korrierët e drogës apo thjesht shqiptarë që do kalonin kufirin bashkë drogën në gomone. Për sasinë e drogës në fjalë, sipas hetuesve, ka shërbyer sërish Kanali i Otrantos që vite më parë ka shërbyer për kalimin e drogës nga vendi ynë drejt Italisë. Autoritetet kanë nisur punën për të zbardhur ngjarjen dhe për të dhënë më shumë detaje për këtë operacion. Lidhur me sekuestrimin e kësaj sasie droge ka reaguar zyrtarisht Policia e Shtetit, e cila bën të ditur se “nga Policia e Shtetit është marrë kontakt menjëherë me autoritetet policore të Guardia di Finanza Leçe, të cilët kanë konfirmuar se në lokalitetin Torre dell’Orso, Melendugno, 20 km larg Leçes, në kuadër të aktiviteteve represive në fushën e lëndëve narkotike, është sekuestruar rreth 145 kg marijuanë. Kjo sasi e lëndës narkotike është gjetur e fshehur në një pyll me pisha”. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit janë arrestuar dhe dy shtetas shqiptarë, përkatësisht Fiodor Mezuraj, vjeç 30, nga Vlora dhe Arjon Zholi, vjeç 23, nga Tepelena. Këta dy shtetas akuzohen për “mbajtje dhe trafik lëndësh narkotike”. Por, Policia e Shtetit thekson se “as gjatë komunikimit zyrtar me autoritetet policore të Guardia di Finanza, Leçe dhe as në njoftimin për shtyp të bërë publik prej tyre nuk është konfirmuar fakti që sasia e lëndës narkotike të jetë trafikuar me gomone nga Shqipëria”. Gjithashtu, sipas Policisë së Shtetit, autoritetet italiane nuk kanë sekuestruar ndonjë mjet lundrimi që mund të kishte shërbyer për trafikimin e lëndës narkotike të sekuestruar. “Sqarojmë se edhe për ngjarjen e datës 21.08.2009, ku janë kapur rreth 250 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, nga autoritet italiane është konfirmuar zyrtarisht se gomonia e kapur në brigjet italiane është nisur në të njëjtën ditë nga Italia me destinacion bregun shqiptar, ku ka marrë sasinë e lëndës narkotike dhe është kapur në kthim për në Itali. Në të dy rastet, nga policia shqiptare ka filluar verifikimet dhe po bashkëpunohet me autoritetet italiane për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve”, - përfundojnë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit.