E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Drejtave të njeriut në OKB hap hetim për Izraelin



Selia e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ka aprovuar dje kërkesën e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, mbi dërgimin e një misioni të posaçëm ndërkombëtar për të hetuar mbi sulmin e komandove izraelitë në anijen me ndihma. Bashkimi Europian nuk ishte në një zë në lidhje me aprovimin e hetimit. Një prej vendeve që votoi kundër ishte edhe Italia. Qindra persona kanë manifestuar përpara ndërtesës së Këshillit të Europës në Bruksel në formë solidariteti me viktimat e sulmit izraelit. Ndërkohë aktivistët e paqes, që qëndronin në anijet e ndihmave humanitare për në Gaza, të burgosur nga Izraeli janë lënë të gjithë gjatë pasdites së djeshme. Ata qëndronin në paraburgimin e qytetit Beer-Sheva, në jug të Izraelit, në pritje të riatdhesimit të tyre. Rreth 120 shtetas ishin nga vendet arabe dhe u nisën me autobusë në Jordani. Pjesa tjetër e aktivistëve u dërguan në aeroportin ndërkombëtar në Tel Aviv për t’u deportuar jashtë vendit, ku shumica ishin turq. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan tha në një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, se Izraeli rrezikon të humbasë mikun e vetëm në rajon, pas sulmit që komandot izraelite bënë në anijet humanitare me ndihma që shkonin në Gaza. Nëntë persona humbën jetën nga ky sulm. Në komunikatën e lëshuar nga zyra e Erdoganit theksohet se pozita e Izraelit në Lindjen e Mesme do të varet nga sjellja e tij në të ardhmen. Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama e ka përsëritur mbështetjen e SHBA-ve për zbatimin e një hetimi të besueshëm, të paanshëm dhe transparent rreth ngjarjeve të ndërlidhura me këtë tragjedi. Kryeministri izraelit, Beniamin Netanjahu është shprehur se sulmi ishte i drejtë dhe kundër terroristëve dhe jo një “varke dashurie”. Ai theksoi se bllokada në gaza do të vazhdojë sepse ata kanë bërë thjesht detyrën.

Turqi, largohen diplomatët izraelitë
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka urdhëruar diplomatët e saj në Ankara dhe Stamboll të largohen nga Turqia, pas protestave kundër sulmit izraelit. Ministria njoftoi se kjo është një procedurë e zakonshme në rastet e rritjes së kërcënimeve të sigurisë. Kryeministri turk, Erdogan ka akuzuar Izraelin për masakër të përgjakshme, ndërsa mijëra turq kanë protestuar në gjithë vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›