Grabiten me armë 800 mijë lekë tek banka në rrugën "Bardhyl"
TIRANE - Grabitet filiali i bankës pranë rrugës "Bardhyl". Një person i armatosur ka hyrë në ambientet e filialit dhe ka mundur të marrë nga arka rreth 800 mijë lekë të reja. Ngjarja ndodhi dje në mesditë rreth orës 13:30, kur një person i armatosur në moshë të re rreth 18-21 vjeç u fut në ambientet e filialit të bankës. Më parë, sipas burimeve të policisë dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes ai kishte mbuluar kokën me një golfin e tij dhe me një shami në mënyrë që të mos identifikohej. Më pas ai ka hyrë në ambientet e filialit të bankës, duke i dhënë një qese një prej arkëtareve të cilën e ka kërcënuar që ta mbushte me paratë që ndodheshin në arkë. Fillimisht, arkëtarja ka mbetur e shtangur për shkak të personit që ishte shfaqur papritur. Ajo ka hezituar por në pak sekonda ka filluar të kryejë mbushjen e qeses me para, për shkak se grabitësi, sipas burimeve të policisë ka qëlluar me armë në ajër me qëllim krijimin e panikut. Arkëtarja ka mbushur qesen me paratë që ndodheshin në arkë, ndërsa më pas ia ka dorëzuar qesen personit të maskuar, i cili qëndronte përballë saj me një pistoletë në dorë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Tiranës, shuma e grabitur nga autori është rreth 800 mijë lekë të reja. Ky i fundit pas grabitjes ka dalë nga ambientet e bankës dhe më pas është larguar përmes bllokut të pallateve të zonës. Policia pas njoftimit të marrë ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Agjentët kanë marrë deklarime të gjithë personave, që ndodheshin në ambientet filialit si dhe të dëshmitarëve jashtë bankës. Nga përshkrimi i dhënë prej dëshmitarëve, autori i ngjarjes besohet se i përket moshës rreth 18-21 vjeç, rreth 165 cm i gjatë dhe me shëndet mesatar. Kasetat e kamerave vëzhguese të administruara nga policia, kanë nxjerrë një pamje të turbullt të autorit, i cili nuk identifikohej nga imazhet e fiksuara për shkak të largësisë. Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar në komisariat disa persona të dyshuar, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. d.b