"Presidenca , ngecin 5 vendime"
Fatos Mahmutaj
Pesë dosje përmbarimore të paekzekutuara i përkasin institucionit të Presidencës. Lajmi konfirmohet nga burime të Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilave kjo shifër ka dalë pas raportimit të statistikave nga Përmbarimi. Zyrave vendore të Përmbarimit iu dha urdhër ditën e djeshme nga Ministria e Drejtësisë, për të nxjerrë shifrat e punës së kryer që nga fillimi i vitit. Urdhri i ministrisë vjen një ditë pas deklaratave të Presidentit të Republikës, se kanë mbetur pa u ekzekutuar plot 8868 vendime gjyqësore që kanë marrë formë të prerë, nga rreth 15 mijë që janë dorëzuar në Përmbarim. Në bazë të urdhrit të mbërritur nga ministria, zyrave vendore të Përmbarimit iu është dashur të nxjerrin statistika dhe t'i dërgojnë ato në Drejtorinë e Përgjithshme në Ministri. Kreu i shtetit e pohoi këtë shifër gjatë një takimi me KLD-në, Gjykatën e Lartë dhe Prokuroren e Përgjithshme. Ndërkohë, menjëherë pas deklaratave të Presidentit Topi, reagoi Ministria e Drejtësisë ku pohoi se shifra e përmendur nga kreu i shtetit i përkiste çështjeve që kanë shqyrtuar përmbaruesit nga fillimi i këtij viti dhe deri në muajin shtator nuk i kishin përfunduar. Duke shpjeguar këtë, ministria pohoi gjithashtu se këto çështje ndodheshin brenda afateve ligjore për ekzekutim. Nga të dhënat që janë dërguar në ministri rezulton se ka edhe dosje të paekzekutuara që i përkasin institucionit të Presidencës, ndërsa numri i tyre pohohet se është pesë raste, konkretisht "dosje pune". Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, i kontaktuar mbrëmë pohoi se Përmbarimi ka ekzekutuar brenda aftit ligjor të gjitha dosjet, që kanë mbërritur në këtë institucion. Sipas tij, përmbaruesit gjyqësore, i kanë përdorur të gjitha mënyrat ligjore për të arritur në fund të asaj çka përmban vendimi gjyqësor i formës së prerë. Sipas tij, përmbaruesit në rastet kur debitorët nuk kanë pranuar ekzekutimin vullnetar, kanë ndërhyrë me forcat e rendit dhe në raste ekstreme i kanë dërguar debitorët në prokurori për ndjekje penale. Duke komentuar shifrën e deklaruar nga kreu i shtetit ministri tha se kjo shifër i përkiste çështjeve, që ndodhen në duart e përmbaruesve gjyqësore dhe që afati ligjor për tyre nuk ka përfunduar ende. Kreu i shtetit gjatë fjalës së mbajtur mesditën e së enjtes pohoi, se ka shumë vendime të formës së prerë dhe vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat nuk po ekzekutohen. Sipas tij, duket se edhe vendimet e marra pas vitesh me radhë në procese të stërmundimshme qytetarëve u mbeten thjesht në letër.
Raportimet e përmbaruesve te ministri
Akuzat e kreut të shtetit se tre të pestat e vendimeve gjyqësore të formës së prerë kanë mbetur pa u ekzekutuar kanë bërë që Ministria e Drejtësisë t'iu kërkojë zyrave vendore të Përmbarimit raportimin e shifrave për dosjet, që ndodhen ende në duart e përmbaruesve si dhe atyre që tashmë kanë marrë një përfundim ligjor.