E Diel, 1 Nëntor 2026

I ngacmon gruan, godet me qytë muratorin 44-vjeçar

Plagosin me qytën e pistoletës një 44-vjeçar, prangosen dy vëllezër nga Roskoveci. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një lokal në qendër të qytezës. Burime nga Policia e Fierit bëjnë të ditur se rreth orës 19.30 të së mërkurës janë ndaluar vëllezërit Fitim dhe Luan Azizi, përkatësisht 36 dhe 33 vjeç, pasi kanë plagosur 44-vjeçarin Vladimir Kola. Mësohet se 44- vjeçari, banues në Fier, me profesion murator, punonte në ndërtimin e vilave të dy vëllezërve Azizi. Gjatë punës së tij ai nuk kishte ngurruar që të ngacmonte një nga bashkëshortet e punëdhënësve të tij dhe pikërisht bashkëshorten e më të voglit, Luanit. Këto veprime, të cilat ishin parë prej 33-vjeçarit Luan Azizit, kishin nisur të krisnin lidhjen martesore. Duke mësuar se ky ka qenë një ngacmim i njëanshëm nga ana e 44-vjeçarit Kola, dy vëllezërit nisen në drejtim të tij të armatosur. E kanë gjetur pasditen e së mërkurës në një nga lokalet e qytezës dhe kanë nisur ta qëllojnë me grushte. Më pas, njëri prej tyre ka nxjerrë nga xhepi një pistoletë dhe me qytën e saj e ka qëlluar atë dy herë në kokë. Pasi e kanë lënë të shtrirë në lokal janë larguar për t‘u prangosur nga policia pak minuta më pas. Dy vëllezërit Azizi do të përgjigjen për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›