E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten me armë vëllezërit tregtarë

MILOT - Dy vëllezër nga Maqellara e Dibrës janë bërë viktima të një grabitjeje me armë. 

Policia bëri të ditur se rreth orës 04:30 të së hënës është njoftuar se në rrugën nacionale që lidh Milotin me autostradën ka ndodhur një grabitje. Vëllezërit tregtarë me inicialet S.C., 32 vjeç dhe A.C., 20 vjeç janë sulmuar ndërsa ishin nisur për në Lushnjë për t'u furnizuar me zarzavate. Grabitësit u kanë marrë rreth 400 mijë lekë të reja dhe më pas janë larguar. Sipas dëshmisë së dhënë pas ngjarjes në polici, vëllezërit ishin nisur nga Bulqiza në drejtim të Lushnjës, me mjetin e tyre, tip "Benz", furgon. Rreth orës 03:00 në dalje të qytetit të Milotit ata kanë konstatuar një automjet të tipit "Fiat-Uno", me ngjyrë të bardhë dhe targa italiane, që lëvizte në drejtim të Milotit. Në momentin e shkëmbimit midis tyre, personat që ndodheshin në makinën me targa italiane u kanë dhënë sinjal dy vëllezërve që të ndalonin. Por ata nuk kanë ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të Fushë-Milotit. Në afërsi të mbikalimit të superstradës Fushë-Milot, automjeti "Fiat-Uno" i ka bllokuar rrugën furgonit dhe prej tij kanë dalë tre persona të pamaskuar. Sipas vëllezërve, njëri prej tyre mbante një armë automatike në dorë. "Pasi ndaluan furgonin, autorët na kërkuan që të zbresim. Në atë kohë, dy prej autorëve u futën në furgonin tonë dhe na morën të gjitha paratë. Më pas u larguan pa ushtruar dhunë mbi ne", pohuan vëllezërit në polici. Ata deklaruan se, në furgon kishin rreth 400 mijë lekë të reja, me të cilat do të merrnin zarzavate në Lushnjë për tregti, si dhe materiale të tjera. Menjëherë pas ngjarjes, policia ngriti një grup hetimi, ku janë kryer një sërë kontrollesh në gjithë zonën. Sipas policisë, janë shoqëruar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje. Policia gjatë hetimit verifikoi një sërë makinash me karakteristikat që kishin dhënë vëllezërit. Më pas është bërë e mundur bllokimi i automjetit tip "Fiat-Uno", me targa italiane në banesën e njërit prej të të identifikuarve si autorë të kësaj grabitjeje. Burime të policisë sqaruan se, po punohet për kapjen e tyre, por gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, nuk është gjetur asnjëri në shtëpi. Sipas deklarimeve të marra nga dy vëllezërit e dëmtuar, rezulton se mjeti i bllokuar është i njëjti me atë që kanë qenë në lëvizje grabitësit.                                    r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›