Grabiten në Lezhë tre shtetas amerikanë
Tre shqiptarë të Malit të Zi me shtetësi amerikane janë grabitur dje në mbrëmje, në afërsi të një lokali në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Tre personat me shtetësi amerikane dhe malazeze, me origjinë nga Ulqini, po udhëtonin përmes Shqipërisë në drejtim të Malit të Zi dhe kishin ndaluar për të pushuar në një lokal në afërsi të fshatit Kallmet të Lezhës. Sapo kanë dalë nga lokali dhe janë afruar te makina e tyre me targa të Ulqinit, ata janë ndaluar nga dy persona me motoçikletë, njëri prej të cilëve u ka drejtuar pistoletën.
Nën kërcënimin e armës, dy personat që mbanin në kokë skafandra u kanë kërkuar viktimave të tyre të dorëzojnë paratë dhe dokumentet që kishin me vete. Rezistenca e njërit prej të grabiturve është pasuar nga goditja me qytë pistolete në kokë dhe pas kësaj tre shtetasit amerikanë u janë bindur urdhrave të grabitësve. Dy personat me motor janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pa lënë asnjë gjurmë për policinë, që është gjendur aty pak minuta më vonë.
Në policinë e Lezhës, të dëmtuarit deklaruan se u ishin grabitur 20 mijë dollarë dhe pasaportat amerikane që dispononin. Ata ngritën dyshimet se grabitësit kishin pasur informacion për lëvizjen e tyre me një shumë të konsiderueshme parash, por nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë se nga mund ta kishin marrë grabitësit këtë informacion.
Fakti që kriminelët u janë afruar menjëherë amerikano-malazezëve, ka ngritur edhe te grupi hetimor dyshimin se grabitja ishte e përgatitur mirë dhe nuk bëhet fjalë për një rast të zakonshëm të grabitjes së udhëtarëve, ku viktimat janë rastësore.
Në bazë të dëshmive të të dëmtuarve, policia e Lezhës ka krijuar një ide mbi keqbërësit dhe ka nisur aksionin për identifikimin dhe kapjen e tyre, por deri në mbrëmje vonë ky aksion nuk ka dhënë rezultat.
Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Lezhës, Elona Nika, tha se për këtë ngjarje janë shoqëruar disa persona, banorë të zonës ku ndodhi grabitja, por asnjë prej tyre nuk është arrestuar, pasi nuk ka prova që të vërtetojnë implikimin në ngjarje.
Kjo është hera e dytë kur shtetas të huaj bien pre e grabitësve në të njëjtën pikë të aksit rrugor Lezhë-Shkodër. Në vitin 2003, në kthesën e Kallmetit u grabitën nga persona të maskuar dhe të armatosur disa shtetas kroatë. Edhe në vitin 2005, në këtë vend u grabit nga “maskat” një autobus i linjës Tiranë-Shkodër. Policia arriti në vitin 2005 të zbulonte autorët e grabitjeve, por arrestoi vetëm njërin prej tyre.
#