E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumbat në gjimnaz, vetëdorëzohet 18-vjeçari

Lumir Arifi u paraqit dje në komisariatin nr.2, duke iu dorëzuar policisë
TIRANË- Vetëdorëzohet në polici 18-vjeçari që qëlloi me automatik në drejtim të dy moshatarëve të tij. Lumir Arifi është paraqitur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në ambientet e komisariatit të policisë nr.2, ku dhe iu komunikua masa e ndalimit për veprën penale të "armëmbajtjes pa leje" dhe "prishjes së rendit e të qetësisë publike". Ngjarja për të cilën akuzohet 18-vjeçari Arifi ndodhi tre ditë më parënë rrugën e Durrësit, në afërsi të shkollës "Aleks Buda" në Tiranë, kur ai ka qëlluar me armë zjarri, disa herë në ajër e më pas është larguar. Arifi i është përgjigjur thirrjeve për ndihmë të shokut të tij, 18-vjeçarit Bekim Dobrushi, të cilin dy djem i kishin ngacmuar të dashurën. Kjo e fundit, 14-vjeçe vazhdonte vitin e parë në gjimnazin "Aleks Buda" në Tiranë, ku është ngacmuar nga dy djem. Dobrusha ka debatuar me moshatarët e tij, por pasi ka parë që nuk ka mundur t'iu bëjë ballë i vetëm, lajmëroi shokun e tij Lumir Arifi i cili rrëmbeu automatikun në banesë dhe u zuri pritë kundërshtarëve. Ai ka qëlluar tetë herë me armë dhe më pas u largua duke u shpëtuar prangave të policisë. Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, të sinjalizuar për ngjarjen janë vënë menjëherë në lëvizje për të identifikuar dhe kapur autorët. Brenda pak orësh efektivat blu mundën të zbulonin identitetin e të riut që qëlloi me armë si dhe bashkautorit të tij, por nuk mundi t'i arrestonte ata. Kështu, në orët e para të ditës së djeshme Arifi është bindur të përballet me veprat penale që kishte konsumuar duke u vetëdorëzuar në polici.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›