E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet adoleshenti qe i vodhi celularin zv/ministrit

TIRANË- Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e prokurorit të çështjes që adoleshenti Marsel Gjoncaj të qëndronte në qeli, nën masën e sigurisë "arrest me burg" për vjedhjen e celularit të zv/ministrit të Financave, Sherefedin Shehu, duke e liruar atë me masën "detyrim për paraqitjeje". Paraditen e djeshme, gjyqtarja e masave Miranda Ndoja vendosi të pranojë kërkesën e avokatit të 17 -vjeçarin Marsel Gjoncaj për ta liruar atë. Shkak për dhënien e kësaj mase sigurie, sipas vendimit, u bë mosha e re e të pandehurit Gjocaj, i cili vazhdonte shkollën e mesme "Petro Nini Luarasi" në Tiranë, në vit të dytë dhe dyshimet se ai është përdorues i lëndëve narkotike, i hashashit. Ndërkohë, prokurori i çështjes pasi vleftësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë kërkoi që 17 -vjeçari Gjocaj të mbetet në qeli deri në përfundim të hetimeve, pasi ndaj tij rëndon akuza e "vjedhjes". Ndërsa mbrojtësi ligjor i adoleshentit kërkoi që të lihet i lirë, duke parë rrethanat lehtësuese që i ofron ligji. Vetë adoleshenti i pyetur për vjedhjen e celularit, në praninë e psikologut shpjegoi para gjyqtares se po luante bilardo dhe aty e kishte parë celularin e lënë nga zvministri Shehu. "E mora celularin, i hoqa kartën dhe e shita më pas për 12 mijë lekë të reja. Nuk e dija se kush është pronari i celularit",-tha ai, duke shprehur pendesë për veprën e kryer. Ngjarja për të cilën është arrestuar adoleshenti, ka ndodhur më 26 dhjetor të vitit që lamë pas, m'u në qendër të Tiranës, në lokalin që ndodhet në parkun 'Rinia". Aty, adoleshenti 17- vjeçar Gjoncaj, duke parë mungesën e vëmendjes të zv/ministrit të Financave Shehu ia vjedh celularin dhe largohet në tualet, ku i heq kartën dhe vazhdon lojën për t'u larguar më pas. Sapo ka konstatuar mungesën e telefonit, zv/ministri i Financave Shehu, i është drejtuar policisë, ku ka bërë denoncimin përkatës. Gjoncaj është arrestuar tre ditë më parë, për t'u liruar dje nga gjykata për shkak të moshës së mitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›