Klandestinët, arrestohet i fundmi i grupit
Me arrestimin e Sufës, përfundojnë në pranga të gjithë organizatorët e trafikut të 33 klandestinëve drejt Italisë
Kapoja i grupit, Agim Sufa prangoset në një kazino në Tiranë. Akuzohet për skafin me klandestinë
TIRANË- Përfundon në qeli i fundmi i grupit kriminal që merrej me organizimin e kalimit të paligjshëm tënjerëzve nga Shqipëria në Itali. Operacioni i koduar"Klandestini" çoi në qeli katër pjesëtarë të bandës tre ditë më parë, ndërsa ditën e djeshme i ka "mbërthyer" prangat kapos së grupit, i cili dyshohet të ishte i vetmi që kishte mbetur në liri. Operacioni për kapjen e 37-vjeçarit Agim Sufa(Myrtaj), i njohur ndryshe Gimi i Fates ,banues në Shullaz-Kurbin, u zhvillua nga Sektori i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Burime nga policia thanë se Gimi i Fates u kap nga policia në një kazino në Tiranë. Efektivat blu kishin mundur të lokalizonin vendndodhjen e të kërkuarit dhe në sajë të operacionit u bë e mundur dhe arrestimi i tij. Policia e Shtetit bëri të ditur se Agim Sufa dyshohet të jetë organizatori i një grupi të strukturuar kriminal, me veprimtari "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit".
***
"Nga materialet që disponon policia, i njohuri si Gimi i Fates,në bashkëpunim me shtetasit e arrestuar tre ditë më parë, Ardian Corri, Gëzim Tafaj, Aleksandër Malaj dhe Rexhep Cuku janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet ndërkombëtar për organizimin e kalimit te paligjshëm të njerëzve nga Shqipëria në Itali, duke shfrytëzuar si itinerar tokësor linjën Shqipëri - Mali i Zi,Kroaci – Slloveni- Itali"- thuhej në deklaratën për shtyp, të lëshuar ditën e djeshme nga policia e Shtetit. "Gjithashtu, të arrestuarit mundësonin kalimin e paligjshëm të njerëzve edhe në rrugë detare me gomone nga bregdeti shqiptar në atë italian". Ndërkohë, burime nga policia thanë se Gimi Fates dyshohet të jetë organizatori i tentativës së trafikimit të 33 personave më 10 janar të këtij viti.
***
33 klandestinët do të niseshin me skaf të vënë në dispozicion nga i arrestuari i djeshëm me shokë, nga Patoku i Laçit për në Itali. Hetimet për zbulimin dhe shkatërrimin e këtij grupi janë drejtuar edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërsa gjykata për Krimet e Rënda, më 23 janar të këtij viti vendosi masën e sigurisë "burg pa afat" për të arrestuarin e djeshëm. Agim Syfa (Myrtaj) ka qenë më parë i dënuar për rrëmbim personi. Disa vite më parë, i njohuri siGimi i Fates mësohet të ketë goditur me mjete të forta shefin e komisariatit të Laçit, Luan Mema, së bashku me shumë persona të tjerë. Tashmë pritet që ai t'u bashkohet anëtarëve të tjerë të grupit.