Të afërmit e kryetarëve, "pronarë" toke në Kashar
Skema e tjetërsimit të pronave duket se është trashëguar së bashku me postin, nga njëri kryekomunar tek tjetri. Naim Karaj, kryetar në vitet 2000-2003, Faik Fejza, në vitet 2003-2007 dhe Alfred Sulaj, i votuar në zgjedhjet e fundit vendore akuzohen se kanë përdorur të njëjtën strategji.Sipas prokurorisë, ata falsifikonin çertifikatën e pronësisë, me ndihmën e përgjegjësit të kadastrës dhe ia kalonin pronën një personi të afërm. Më pas, trualli nxirrej në shitje dhe lekët ndaheshin mes kryetarit të komunës, përgjegjësit të kadastrës dhe pronarit "fiktiv". Rasti i fundit i faktuar, sipas prokurorisë është ai ku kreu i komunës së Kasharit, Alfred Sulaj, i dhuron 25 dynymë tokë dajës së tij, Xhevair Hyka. Ky i fundit duket se nuk e ka pasur të vështirë të shesë truallin, pasi ndodhej përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe lekët i ndan me nipin. Pritet që ditën e hënë, tetë të arrestuarit të dalin para gjykatës për të verifikuar masën e sigurisë. Mbi të arrestuarit, prokuroria ka ngritur akuzat e kryerjes së veprës penale të "korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë'; "shpërdorimit të detyrës"; "falsifikimit të dokumenteve zyrtare"; "falsifikimit të hartës së pronës dhe çertifikatës së pronësisë".