E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, PS premton ndryshim

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte dje në qytetin e Beratit.

BERAT-Në vijim të turit të tij për të prezantuar programin elektoral të PSSH-së, kreu i selisë rozë, Edi Rama, ditën e djeshme u ndal në komunën Vërzhezhë të Skraparit, në Velabisht dhe në përmbyllje, në rajonin Uznovë të Beratit.


Në fjalën e tij përpara qindra të pranishmëve në Uznovë, kreu socialist, Edi Rama, u ka thënë të atyre se kjo është një zonë e cila ngjan me një pasqyrë të Shqipërisë, të njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë dhe që janë të lodhur nga politika.


"Kjo është një zonë, e cila, ashtu si gjithë Shqipëria, reflekton gjendjen reale të njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm, nevojën historike për një politikë të re për ndryshim", - tha kreu socialist, Edi Rama.


Ai u ka bërë të ditur banorëve që merrnin pjesë në këtë takim, se PS-ja nuk vjen në këto zgjedhje që t'u premtojë shqiptarëve gjërat më të bukura për të marrë votën dhe pastaj t'i tradhtojë, por se ka ardhur të premtojë ato që do të mund të bëjë në katër vitet e ardhshme. "Kjo është një zonë që ka shumë varfëri dhe që ka shumë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike. Po si mund të jetohet në Shqipërinë e sotme të çmimeve marramendëse me ndihmë ekonomike?


Si mund të jetohet sot në Shqipëri me faturat e energjisë të tejrritura, me ilaçet e parimbursueshme, si mund të jetohet në Shqipërinë e sotme të fëmijëve që duan të shkojnë në shkollë dhe që u duhen libra dhe mjete mësimore, rroba dhe të gjitha të tjerat për t'i përballuar ato më ndihmë ekonomike.


Kjo ndihmë ekonomike është turpi i politikës së vjetër në pushtet. Ne do ta ndryshojmë rrënjësisht këtë program lëmoshe dhe do ta kthejmë në një fond të integrimit social, duke nxitur daljen e familjeve të thjeshta dhe të ndershme të këtij vendi nga varfëria, përmes punës në komunitet dhe aktivitetit të vogël prodhues. Për ata që ne nuk do t'i nxjerrim dot nga skema e ndihmës ekonomike, do të katërfishojmë vlerën e kësaj ndihme", - tha Rama.


Ndërsa ka folur për sistemin shëndetësor, Rama ka thënë se "sot, në Shqipërinë e politikës së vjetër janë më shumë se 40% e shqiptarëve që, në rast se duhet të shkojnë, larg qoftë, në derën e spitalit, duhet të paguajnë nën dorë, sepse nuk janë të mbuluar nga sigurimet ose duhet të vuajnë, pa guxuar të kalojnë derën e spitalit. Kjo do të ndryshojë
pas 28 qershorit".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›