Grabiten telat e elektrikut, banorët mbesin pa drita
Brenda një nate të vetme janë grabitur kabujt duke lënë në errësirë fshatrat e zonës së Lezhës dhe Mirditës
KURBIN- Kabujt elektrikë janë kthyer në një shënjestër të mirë të hajdutëve të vegjël në të gjithë zonën e Kurbinit, Mirditës dhe Lezhës. Për një natë të vetme janë zhdukur mijëra metra kabuj dhe tela përcjellës elektrikë duke lënë pa drita dhjetëra fshatra të këtyre zonave. Ndërsa policia ende nuk ka rëndë në gjurmët e grabitësve edhe pse ka shoqëruar disa të dyshuar.
Kështu një linjë elektrike e transmetimit të energjisë nga nënstacioni i Rubikut për në Ferr-Shkopet, është vjedhur për të tetën herë brenda vitit dhe KESH është detyruar ta vendosë të re po tetë herë, dhe askush nuk është kapur për këtë vjedhje. Këtë situatë të pazakontë vjedhjesh dhe grabitjesh e kanë favorizuar dhe ndërprerjet dhe kufizimet e energjisë elektrike për orë të tëra në këto zona. Për pasojë të këtyre vjedhjeve dy fshatra në Mirditë dhe katër në atë të Kurbinit gjenden pa energji elektrike. Nga vjedhja e telave dhe kabujve në një kabinë elektrike tek ish-uzina e superfosfatit në Laç kanë mbetur pa punë 300 punonjës të fabrikës së këpucëve dhe disa biznese të tjera. Po dje në Pllanë të Lezhës u vodhën mbi 300 metra tel elektrikë në linjë duke e lënë fshatin pa energji elektrike. Për linjën Rubik-Ferr Shkopet është vjedhur më shumë se 1000 metra përcjellës elektrik. Pos fshatrave janë dhe disa biznese të lavatriçeve të zhavorrit që kanë mbetur pa energji elektrike si dhe lokale ndanë aksit nacional për në Burrel, si dhe një kompani inertesh që punon në autostradën Milot-Rrëshen-Kukës. Sipas drejtuesve të këtyre bizneseve, çdo ditë vidhet kabull dhe përcjellës elektrik dhe shpesh herë vetë ata kanë investuar në linjat e reja, por rasti përsëritet dhe ata janë të detyruar të punojnë dhe me gjeneratorë duke hasur në vështirësi të mëdha ekonomike. Nga ana tjetër, shihet si jo rentabël furnizimi i disa fshatrave të malësisë së Kurbinit nga nënstacioni elektrik i Rubikut ku ata e kanë shumë më afër hidrocentralin e Shkopetit nga ku dhe mund të merret energji me shumë më pak linjë elektrike dhe reduktimin e humbjeve në rrjet. Banorët duke parë se askush nuk po vihet para përgjegjësisë bëjnë me faj dhe policinë e cila nuk është efikase në goditjen e këtij lloji krimi, si dhe gjykatat që në rastin e kapjes së ndonjërit, i lirojnë menjëherë vjedhësit.