Vlorë, pesë familje jetojnë në çadra buzë detit
Pas prishjes së godinave ku banonin, atyre iu është premtuar një shtëpi e re por për momentin kanë mbetur në çadra
VLORË- Janë edhe pesë familje në plazhin e vjetër, të cilat vijojnë të jetojnë në kushtet që ofron bregdeti në këtë zonë pas prishjes së godinave të kabinave njëkatëshe. Çadrat ende janë të ngritura, si dhe po të shpërndara plaçkat e familjarëve. Çdo ditë që kalon rrit më tepër tensionin e të qenit tërësisht i pastrehë. Familjet e tjera janë sistemuar te kabinat trekatëshe. Në këto të fundit ka pasur kabina që kanë qenë të mbyllura, ose me familjarë që kishin një strehim të dytë. Por pikërisht kjo alternativë strehimi te kabinat trekatëshe, ka ndezur edhe debate ndërmjet banorëve të trekatësheve dhe atyre të ish- godinave njëkatëshe. Siç mësohet, ndërmjet familjarëve ka pasur edhe përplasje me njëri tjetrin. Për të mundësuar heqjen e tyre është operuar me anën e policisë bashkiake, ndërkohë që mbeten pesë familjet në fjalë, në fazën e diskutimeve për gjetjen e një strehe për ta. Siç mësohet në godinat trekatëshe ka kabina të mbyllura, ku sipas banorëve, vetë bashkiakët janë dorëzuar duke thënëqë t’i hapin vetë familjarët që kanë mbetur pa strehë. Gjithsesi gjendja e familjarëve të pakët që flenë në çadrat e improvizuara në plazhin e vjetër, bëhet çdo ditë e më e vështirë. Më e rëndë është kjo situatë në kushtet kur ka fëmijë në këto familje, të cilët janë të detyruar të ndajnë të njëjtën mënyrë jetese me të rriturit. Familjarët kanë mbi një javë që vijojnë të jetojnë në të tilla kushte.