E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Ismail Qemali s'mund të trajtohet në këtë mënyrë

 

Dy krerët e shtetit përfshihen në debat. Berisha: Nuk ndërhyj, është e drejtë e shkollës

DURRËS- Presidenti Topi i shoqëruar nga homologu i tij kosovar, Sejdiudeklaroi dje në Durrës se debati për Universitetin e Vlorës është absurd. "Figura të tilla nuk mund të trajtohen në këtë mënyrë,- tha presidenti që ishte i mendimit se ngërçin do ta zgjidhë vetë senati i këtij universiteti. Ndërsa po dje Kryeministri Berisha ka pohuar dje se Këshilli i ministrave nuk do të ndërhyjë në asnjë rast në çështjen e ndryshimit të emërtimit të Universitetit “Ismail Qemali”, në Vlorë. Gjatë një takimi me mediat ai ka pohuar se është informuar për këtë gjë por qeveria nuk ka përse të merret me këtë çështje. Gjatë takimit kreu i qeverisë ka folur edhe për çështjet e arsimit të lartë.

“Këshilli i Ministrave nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk ka ndërmend të marrë një vendim të tillë. Një fakt është, dhe këtë shqetësim ma kanë ngritur dhe qarqet akademike, që të gjitha universitetet janë emërtuar me personalitete. Kjo ka qenë dhe është dëshmi e një respekti i madh ndaj tyre. Ismail Qemali është themeluesi i këtij shteti dhe po të ishte se universitetet do të emërtoheshin me personalitetet, ai renditet i pari në listë. Por, qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë çështje. Kjo është një çështje për të cilën më vonë edhe mund të ketë një debat të qetë. Ndërkohë, ne jemi një vend i lirë dhe unë nuk mund të them edhe që qeveria duhet t’iu imponojë emrat universiteteve. Ne nuk do të ndikojmë në vendimmarrjen e tyre”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, gjithçka është në dorë të vetë universitetit. Ndërkohë rektori i Universitetit të Tiranes, dhe president i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse, profesor Dhori Kule, thotë se propozimi i Universitetit të Vlorës për të hequr emrin e Ismail Qemalit është formalisht i pavlefshëm. Zoti Kule thotë se universitetet nuk kanë të tilla kompetenca, aq më tepër kur behet fjalë për figura themelore të historisë së shtetit shqiptar, si Ismail Qemali.

Kreu i qeverisë foli dje edhe në lidhje me çështjen e arsimit ku premtoi se në vitet 2009-2010 numri i studentëve do të trefishohet në krahasim me vitin 2005. “Po të ndalemi tek arsimi i lartë, unë mund t’ju them se në vitet 2009-2010 numri i studentëve do të trefishohet në krahasim me vitin 2005. Kjo është një arritje shumë e madhe, por ne nuk kemi trefishuar orientimin drejt tregut, diversitetin dhe larminë e tij. Akoma departamentet tona kanë një lloj viskoziteti për t'u përshtatur me tregun. Ndaj ne duhet të bëjmë qëtregu të afrohet”,- u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›