Vlorë, zjarret kërcënojnë pyjet, komuniteti nuk bashkëpunon
Ndërmarrja pyjore jep alarmin që banorët nuk interesohen aspak kur zjarri rrezikon pasuritë kombëtare si Llogoraja
VLORË- Djegia e sipërfaqeve për kullota, shqetësimi që preku një vit më parë seriozisht vendin, deri në dëmtime të pallogaritshme, edhe për këtë vit rrezikon pasoja. Fenomeni, edhe pse jo i përmasave të një viti më parë, është prezent në Vlorë. Me një mentalitet që zotëron ende, djegiet kryhen për interesa të ngushta, pavarësisht pasojave që ato mund të lenë pas. Fakti konfirmohet nga përfaqësues të ndërmarrjes pyjore, sipas të cilëve djegia me motivimin e kullotave rrezikon deri zona të veçanta. Nuk është hera e parë për këtë vit që rrezikon parku kombëtar i Llogorasë, zjarri te i cili do të kishte pasoja të pariparueshme. Agron Ruko, shefi i policisë pyjore të Vlorës, pohon se edhe rasti më i fundit i dy ditëve më parë ka qenë në zonën e Cikës. “Ne kemi paguar njerëz për të mbrojtur zonën, pasi ishte një vatër nga ku nuk mund të hyje dot, por vetëm e lokalizuam për të mos prekur pjesën e parkut. Komunitet që nuk bëhet pjesë e ndërhyrjeve kur zjarri cenon pronën. Kjo është e vërteta shumë herë pas një situate zjarri”,- pohon Ruko. Sipas tij, kur flakët cenojnë pasuri të përbashkëta, komuniteti rri indiferent, pavarësisht se pasojat mund të prekin direkt edhe ata, pasi parku i Llogorasë është i të gjithëve. Vatrat e zjarreve kanë nisur të bëhen të dukshme në Vlorë dhe rrethinat e saj prej fillim korrikut. Rasti më i rëndë u shënua në zonën e Orikumit dhe Fushe Dukatit, ku në këtë të fundit u dogjën plotësisht dy banesa. Mungesa e rrugëve ku mund të ndodhen vatrat e zjarrit, shumë herë rëndon situatat, pasi mjetet zjarrfikës nuk futen në këto zona.