E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësi, asnjë gjurmë te lojërat e fatit

Krimi perfekt nuk u ka lënë asnjë mundësi hetuesve të shkojnë tek i dyshuari

Për të disatën herë në kryeqytet grabitësit godasin lokalet e lojërave të fatit apo edhe bankat dhe nuk lënë asnjë gjurmë. Brenda pak minutave ata u kanë lënë “pendët” punonjësve të sigurisë, të cilët nuk kanë mundur të njoftojnë asnjëherë në kohë policinë. Statistikat kanë treguar se kjo vepër penale është mjaft e pranishme. Në kryeqytet u evidentuan 4 grabitje bankash gjatë vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010 dhe disa të tjera u regjistruan në lokalet e lojërave të fatit apo dhe në pikat e këmbimit valutor. Jo në pak raste ka pasur edhe grabitje në qytete të tjera të vendit. Specialistët mendojnë se ky është një fenomen i importuar, pra autorët mund të kenë qenë të përfshirë në kryerjen e kësaj vepre penale jashtë Shqipërisë. Fakt është se ata e kanë kryer grabitjen brenda një kohe rekord dhe me një profesionalizëm të lartë, duke mos lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit. Ndërsa grabitësit, shumë prej tyre ende autorë anonimë, kanë përsosur metodat e tyre, policia gjithnjë shprehet për moslënien nga ata të asnjë prove për të shkuar tek identiteti. Sipas specialistëve, punën për zbulimin e tyre e ka dëmtuar përqendrimi i hetimit të kësaj vepre penale në Drejtorinë e Qarkut. Komisariatet të klasifikuar si të tillë ua lënë ekskluzivitetin e hetimit eprorëve në qendër. Edhe pse kanë punonjësin e rendit dhe inspektorin e krimeve këta të fundit, duke njohur kompetencat për hetim, e shohin veten jashtë kësaj procedure. Kjo, sipas tyre, e vështirëson edhe më zbulimin e autorëve të këtyre ngjarjeve. Goditja më e fundit në kryeqytet ishte ajo e dy ditëve më parë, kur një person i maskuar dhe i armatosur ka hyrë brenda një salle me lojëra fati, duke marrë 400 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”, pranë ish-kinema “Dajti”, jo shumë larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Duke kërcënuar punonjësit, ai ka mundur të marrë një sasi të konsiderueshme lekësh dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pa mundur të filmohet nga kamerat e sigurisë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ai ka qenë i vetëm dhe mund të jetë larguar fillimisht në këmbë dhe më pas me ndonjë mjet që e kishte lënë larg vendit të grabitjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›