Vrasja e Kamzës, i dyshuari në prag të lirisë
Avni Goca, i dyshuar si autor i vrasjes së trajnerit të atletikës, Hasan Rakipit, mund të lihet i lirë. Nëse policia nuk gjen armën e krimit, apo dhe fakte të tjera që të mbërthejë pas hekurave të dyshuarin, atij do t’i buzëqeshë fati, pasi do të shijojë lirinë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjykata dha për të si masë sigurie 40 ditë arrest në burg. Burime policore thanë për gazetën se po bëhet gjithçka për t’ia provuar krimin autorit të dyshuar, por deri tani i vetmi vend ku nuk është kontrolluar ende është pusi. Megjithatë, hetuesit mendojnë se fakti që në banesën e tij janë gjetur municione luftarake apo dhe dëshmitë kontradiktore që janë dhënë nga i dyshuari dhe familjarët e tij, do t’i bindin togat e zeza për ta lënë në qeli Avni Gocën. Përpjekjet për të gjetur armën në pusin që gjendet në shtëpinë e Gocajve nuk po konkretizohen. U bënë disa ndërhyrje aty me pompa zjarrfikësesh, madje edhe me palombarë të RENEA-s, por nuk u arrit të gjendej arma me të cilën mendohet se Goca ka kryer krimin. Ngjarja e Kamzës zë fill më 6 shkurt 2010, kur pranë një lokali u qëllua për vdekje ish-atleti 56-vjeçar Hasan Rakipi. Në momentin e ekzekutimit ai sapo kishte hipur në mjetin e tij të parkuar pranë fushave të sportit në Kamzë. Policia, disa orë më pas, arrestoi autorin e dyshuar të ngjarjes, të identifikuar si Avni Goca. Nga kontrolli në banesën e tij uniformat blu gjetën një sasi municionesh, por nuk qëlluan në shenjë për të kapur armën e krimit. I dyshuari e ka mohuar kategorikisht vrasjen e Rakipit. Megjithatë asgjë nuk i ka penguar uniformat blu ta mbërthejnë Gocën në pranga nën akuzën e mbajtjes pa leje të municioneve luftarake, por edhe me pretendimin se ai është autori më i mundshëm i ngjarjes. Deri më tani, agjentët e krimeve nuk kanë gjetur prova të tjera, ndërsa shpresojnë se pusi është vendi ku autori mund të ketë hedhur armën e krimit. Në këtë përfundim policia arriti pas sekuestrimit të municioneve dhe mosgjetjes së armës në banesë. Për të gjetur armën, një grup pune u paraqit disa herë në vendin e ngjarjes, pas urdhrit të prokurorisë dhe provoi të thante pusin, por nuk ia ka arritur, sepse burimi i ujit brenda disa minutash e mbushi atë përsëri deri në kuotën maksimale. Thellësia dhe ngushtësia e pusit nuk ka mundësuar punën e zhytësit të forcave speciale, i cili e kishte të pamundur kërkimin në të.
#