U ngacmoi kushërirën, e rrahin dhe e plagosin me armë
Një sherr të rinjsh për pak sa nuk i marrë jetën një 19-vjeçari, i cili ka mbetur i plagosur me një plumb pistolete në këmbë, ndërkohë dy autorët, të cilët janë identifikuar nga policia, ende nuk janë prangosur. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në bulevardin kryesor të qytetit të Lushnjës, rreth orës 17:30 të ditës së djeshme. Burime nga vendi i ngjarjes pohojnë se tre të rinj janë përfshirë në sherr në afërsi të Urës së Përroit, në vendin e quajtur Bulevardi i Palmave. Sherri mes të rinjve ka nisur fillimisht me grushte dhe më pas është përdorur edhe arma e zjarrit. Skena e përplasjes mes të rinjve është parë nga dhjetëra dëshmitarë okularë, të cilët kanë njoftuar në komisariatin e policisë, që ndodhet vetëm pak metra larg. Mësohet se Gentian Shurdhi, 34 vjeç dhe Mishel Veliu, 19 vjeç, që udhëtonin me një automjet “Fiat” i kanë bërë pritë 19-vjeçarit Ristan Kuqi, lindur në fshatin Plyk dhe banues prej pak kohësh në qytetin e Lushnjës. Pasi e kanë qëlluar me shqelma dhe me grushte Kuqin, një prej agresorëve ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e plagosur në këmbë. Më pas autorët kanë hipur në automjetin e tyre tip “Fiat” dhe janë larguar në drejtim të paditur për t’u fshehur. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur për shkaqe banale. Paraprakisht, policia deklaron se nga pak dëshmi që ka marrë prej të plagosurit dhe dëshmitarëve të vendit të ngjarjes del se mes të rinjve sherri ka qenë i mbartur lidhur me ngacmimin e kushërirës së agresorëve nga ana e të plagosurit. Megjithatë, vijimi i hetimeve do të zbardhë përfundimisht ngjarjen që tronditi pasditen e së enjtes qytetin e Lushnjës.
#