E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet e pronave, vazhdojnë vërshimet në gjykatë

Rastet e abuzimeve me regjistrimin, qytetarët iu drejtohen togave të zeza

çështjet e pronave dhe problematika e regjistrimit të tyre mbeten dosjet më të shpeshta që shqyrtohen nga Gjykata e Shkallës së Parë. Më shumë se 50 çështje të tilla janë gjykuar një vit më parë, por denoncime dhe gjykime për falsifikime të dokumenteve për regjistrimin e pronave ka edhe këtë vit. Statistikat tregojnë se janë regjistruar dhe presin shqyrtimin mbi 20 dosje të tilla. Gjyqtarët kanë dhënë tri vendime për çështje të ngjashme nga 25 janari deri më 2 mars. Një dosje priste gjykimin dje, por ajo u shty për shkak të mungesës së prokurorit, të cilit i është dhënë kohë për të përgatitur konkluzionet. Të akuzuarit e kësaj dosjeje janë ish-zyrtarë të Hipotekës dhe bashkëpunëtorë të tyre. Në vendimet e dhëna për tri dosjet e shqyrtuara akuzohen për falsifikim dokumentesh edhe persona që ushtrojnë aktivitet publik, si noterë, topografë etj. Akuza për këta persona është ajo e “shpërdorimit të detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal dhe përcakton si dënim me gjobë nga 300 mijë deri në 1 milion lekë dhe burg nga gjashtë muaj deri në 5 vjet. Në rastin kur i pandehuri pranon fajin, atëherë gjykata i ul një të tretën e dënimit parashikuar kjo në nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale. Madje, pas përfundimit të gjykimit shpenzimet procedurale i lihen në ngarkim të pandehurit.

Vendimet e dhëna

25 janar 2010, gjykata dha vendimin për çështjen penale në ngarkim të C. Meshinit, cili ishte nën akuzë për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Në vendimin e gjykatës shkruhet se ai gjendet fajtor dhe dënohet me 3 muaj burgim dhe 210 mijë lekë gjobë. Sipas togave të zeza, çështja në ngarkim të tij nisi pas padisë së dhëndrit të tij për kufizimin e pronës, pasi i pandehuri me akt dhurimi fals ka regjistruar në Hipotekë pronën në mënyrë të jashtëligjshme. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë të pandehurin në provë për një periudhë kohore prej 18 muajsh, me kusht që dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale. Një tjetër dosje e shqyrtuar është ajo në ngarkim të të pandehurit S. Domi me profesion topograf, ish-punonjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe të Menaxhimit të Tokës së Komunës Bërxull. Gjatë kohës që ai ka kryer këtë detyrë, F. Stafa kërkoi pranë ZMM të tokës së komunës lëshimin e dokumentacionit për regjistrimin në Zyrën Rajonale të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme të një sipërfaqe toke prej 2000 metra katrorë me vendndodhje Ura e Limuthit. Stafa pretendonte se ajo është tokë e tij, por nuk dispononte dokumentacionin saj. Falë planit të rilevimit, hartës së parcelës së pretenduar, që bëri i pandehuri me cilësinë e topografit, është plotësuar akti i marrjes së tokës në pronësi nga F. Stafa regjistruar në Hipotekë. Në përfundim trupi gjykues ka vendosur më 9 shkurt deklarimin fajtor të S. Domit për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga persona që kanë për detyrë t’i lëshojnë ato. Si dënim gjykata i ka dhënë 1 vit burgim, që më pas ia ka njësuar me katër vjet kusht për moskryerjen e asnjë vepre penale dhe 340 mijë lekë gjobë. Në dosjen e tretë të gjykuar në fillim të marsit akuzohet një noter për autorizimin e një personi brenda trashëgimtarëve për shitjen e tokës pa autorizimin e njërit prej pronarëve. Në vendim thuhet se i pandehuri N. Murati që për shume vite ka punuar si noter publik me seli në Tiranë, ka përpiluar një akt noterie, ku autorizon në emër të pronarëve një person për të kryer veprime të ndryshme me pronën e tyre 112 mijë metër katrorë pyll dhe 1000 metër katror truall në Lanabregas. Pas shqyrtimit të fakteve, gjykata vendosi dënimin e të pandehurit N. Murati me 1 vit burgim dhe 340 mijë lekë gjobë.

Dosja në shqyrtim

Abuzimet me pronat ka edhe të pandehur zyrtarë më të lartë, siç janë ish-punonjësit e Hipotekës. Shqyrtimi i dosjes duhet të ishte bërë dje, por mungesa e justifikuar e prokurorit e ka detyruar gjyqtarin Ilir çeliku ta shtyjë për herë të 13 seancën. Ish-drejtori i zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, A. Gjylbegaj, është dërguar si i pandehur në gjykatë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh së bashku me gjashtë persona të tjerë. Ai është marrë i pandehur për dy akuza, pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit është mbështetur me të dhëna edhe nga raport-kontrollet e KLSH-së, si dhe nga disa pakënaqësi të qytetarëve, që ish-kryeregjistruesi nuk i ka dhënë titullin e pronësisë. Ish-zyrtari i lartë i Hipotekës qendrore është hetuar për më tepër se 10 raste abuzimi me titujt e pronësisë, kryesisht në Qarkun e Tiranës, si dhe disa të tjerë në Qarkun e Vlorës. Së bashku me ish-drejtorin e përgjithshëm të hipotekave, si të pandehur në gjykatë janë dërguar edhe 6 persona të tjerë, të cilët janë: Bega Musta, Genc Uruçi, Ilir Skilja, Lirim Troshani, Marjana Hoxha dhe Olsi Komiçi. Aktualisht dosja penale e regjistruar në gjykatë me nr. 157, është dorëzuar atje në qershor 2009, ndërsa hetimi ka filluar në mesin e vitit 2008. Gjatë kësaj kohe, në Prokurorinë e Tiranës është paraqitur padia penale që akuzonte zyrtarët për abuzime gjatë ushtrimit të detyrës. Abuzimet, për të cilat akuzohen ish-zyrtarët e hipotekave së bashku me katër persona privatë që kanë kryer falsifikime, bëjnë fjalë për dhënien e padrejtë të titujve të pronësisë, si dhe për mbivendosje pronash. Akuza pretendon se falsifikimet dhe mbivendosjet janë kryer duke manipuluar dokumentet dhe duke vënë në shfrytëzim një dispozitë të veçantë të ligjit për hipotekën, i cili i jepte drejtorit të përgjithshëm kompetencë për ngritjen e një Komisioni Institucional që merrte në shqyrtim aplikime për pronat dhe dhënie titujsh pronësie. Vendimet e dhëna nga ky komision shërbenin për regjistrimin e drejtpërdrejtë të pronës në Hipotekë. Prokuroria ka gjetur dhe dokumentuar raste, kur për një pronë është bërë mbivendosje, duke u njohur kështu edhe një titull tjetër pronësie.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›