Kukës, Qafa e Malit lihet në mëshirë të fatit
Bora dhe akulli vazhdojnë të mbajnë të bllokuar Veriun e vendit, me gjithë përmirësimin e kushteve të motit. Akset nacionale kanë qenë të vështira për t’u kaluar edhe dje, ndërkohë që mijëra banorë të komunave të thella kanë mbetur të izoluar.
KukësNë aksin kombëtar Kukës-Tiranë, segmenti Qafë-Shllak – Qafë-Mali, vazhdon të mbetet shumë i vështirë në kalimin e automjeteve dhe udhëtarëve. Dëbora në rrugë arrin në 30 cm dhe një numër automjetesh të tonazhit të rëndë vijojnë të jenë të bllokuara prej ditësh. Makinat përshkruajnë më shumë se 10 km nëpër akull dhe dëborë duke vënë në rrezik jetën e drejtuesve dhe pasagjerëve. Në këtë segment mungon kujdesi i duhur nga ndërmarrja përgjegjëse, pasi në vend nuk ka shkuar asnjë borëpastruese dhe nuk është hedhur kripë apo skorie. Drejtues të Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve në Kukës pranuan faktin se në Qafë-Mali dhjetëra automjete ndodhen në mëshirë të fatit, por justifikohen me faktin se ai segment nuk bën pjesë në detyrimin e tyre për ta pastruar nga dëbora. Edhe një vit më parë Qafa e Malit u la në mëshirën e dimrit të fillim marsit, ku qindra autobusë dhe makina të tjera mbeten për ditë të tëra në dëborë pa asnjë ndihmë.
ShkodërNgricat dhe akulli vazhdojnë të mbajnë të bllokuara zonat e thella malore të Qarkut të Shkodrës. Kështu në Malësinë e Madhe fshatrat: Vermosh, Nikç, Vukël, Selcë dhe në Malësinë e Dukagjinit fshatrat: Nëmamvric, Gimaj, Lekaj, Theth, Abat, Pecaj, Kllogjen, Toplan, Palaj Malagji, Sermë vazhdojnë të mbeten të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve. Ndërsa në Pukë, në Komunën Iballë janë të izoluar fshatrat: Kokëdodë, Grolisht, Bugjon, Arrip, Shopel, Levozhe, Berishë e Vogël etj. Në gjithë Qarkun e Shkodrës 30 fshatra me rreth 15 mijë banorë janë të izoluar.
#