E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, autovetura bie në përrua, vdes shoferi

Kavajë

Një 47-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti në një fshat të Kavajës. Ngjarja ndodhi dje paradite teksa viktima Xhamit Zeka, i cili udhëtonte me një fuoristradë, ka humbur drejtimin e mjetit në urën e fshatit Rikaj të Komunës Synej dhe më pas ka përfunduar në përrua. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes i thanë policisë se kanë parë mjetin të përplaset me parmakët e urës dhe pasi ka kryer një salto ka rënë në përrua. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët janë munduar për orë të tëra të nxjerrin drejtuesin e mjetit nga uji, por nuk ia kanë arritur. Drejtuesit e policisë vendore kërkuan ndihmën e forcave speciale. Pas marrjes së urdhrit kanë mbërritur tre palombarët e RENEA-s të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e të ndjerit nga uji dhe më pas kanë vendosur kavot për tërheqjen e mjetit të aksidentuar, pasi ky i fundit do t’i nënshtrohet këqyrjes teknike. Policia, referuar dëshmive të personave që kanë parë aksidentin, doli në përfundimin se në momentin e përplasjes me urën 47-vjeçari ka qenë duke folur në telefon. Kjo ka sjellë humbjen e kontrollit të mjetit nga drejtuesi, përplasjen e tij në urë dhe prej andej në ujërat e përroit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›