Grabitësi-memec në gjykatë: Unë, vetëm në një nga katër grabitjet
TIRANE - Dy të rinjtë shurdhmemecë, të arrestuar për akuzën e vjedhjes së disa automjeteve duke përdorur komunikimin ne "Facebook" pranuan dje para gjykatës së Tiranës autorësinë e vjedhjes së 4 prej tyre. Por përpos këtij fakti, togat e zeza të gjykatës së kryeqytetit vendosën për Romeo Rakipin dhe Flamur Matoshin masën "arrest me burg". Ditën e djeshme, dy 22-vjeçarët u paraqitën para gjykatës për caktimin e masës së tyre të sigurisë. Në seancë ata janë shoqëruar edhe nga një ndihmëse, që mundësonte komunikimin mes tyre dhe gjykatës, me gjuhën e shenjave. Burime pranë seancës, bënë të ditur së Rakipi dhe Matoshi pranuan të kishin vjedhur katër automjete. Mësohet se i pandehuri Flamur Matoshi ka pohuar se vetëm një automjet kishte vjedhur me të arrestuarin tjetër Rakipi. Ndërsa, për tre të tjerat, ai ka pohuar se janë vjedhur nga i bashkëpandehuri i tij. Po sipas burimeve, bëhet e ditur se, të njëjtat fakte janë pranuar dhe konfirmuar në sallën e gjyqit edhe nga i pandehuri Rakipi. Në vijim, ndonëse mbrojtësit e tyre kanë kërkuar masa më të lehta sigurie, gjykata vendosi lënien e tyre në qeli deri në përfundim të hetimeve. Romeo Rakipi dhe Flamur Matoshi u arrestuan të hënën e kaluar për akuzën e "vjedhjes"nga operacioni policor i koduar "heshtja". Sipas policisë, duke komunikuar me anë të rrjetit social "Facebook" në internet. Me anë të postës elektronikë, ata komunikonin me njëri-tjetrin dhe "thurnin" planet për vjedhjen e makinave. Mësohet se, dy të rinjtë ishin proceduar edhe disa herë të tjera më parë për akuzën e "vjedhjes".