E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, lavazhieri në kërkim, plagosi klientin

 TIRANE - Një 27 vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri, pas një grindje me personin që po i lante makinën. Ngjarja ka ndodhur pranë një lavazhi në afërsi të kthesës së Kamzës, përballë hotel "Lubjana" në Tiranë. Ediland N, është qëlluar një herë me pistoletë, nga 30-vjeçari i identifikuar si Zaimir M, i njohur edhe me emrin Ervis, i cili punonte në lavazh. Burime nga policia thanë se janë njoftuar për ngjarjen nga disa punonjës të tjerë që kanë qenë të pranishëm. Dyshohet se grindja mes dy të rinjve ka nisur pasi në kohën kur Zamir M, ka qenë duke larë makinën e Ediland N, e ka lagur edhe në pjesën e brendshme, gjë që ka shkaktuar nervozizëm tek 27-vjeçari. Fillimisht ai i ka kërkuar sqarimi lavazhierit dhe më pas debati është kthyer me fyerje dhe kanosje. Në këtë moment autori i dyshuar është larguar për pak sekonda dhe është kthyer me një armë në dorë, të cilën ia ka drejtuar të dëmtuarit duke e kërcënuar. Pas të tjera fyerjesh lavazhieri ka qëlluar në drejtim të klientit të vet, i cili është plagosur lehtë në këmbë. I dyshuari si autor është larguar nga vendi i ngjarjes, por është identifikuar dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës.                                                e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›