Grabitësi plagos me thikë pronaren e argjendarisë
Ngjarja përballë Ministrisë së Arsimit, autori ikën pa vjedhur mallin.
Tiranë, i maskuari qëlloi dy herë Anjeza Berishën.
Një 39-vjeçare u përlesh me grabitësin dhe shpëtoi të paprekur argjendarinë e saj dje në Tiranë, ndonëse mbeti e plagosur me thikë me dy plagë në trup. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, në një argjendari përballë Ministrisë së Arsimit, te Rruga e Durrësit. Burime nga Policia e Tiranës thanë se autori i ngjarjes, ende i paidentifikuar, ka hyrë në dyqan me qëllim grabitjen e bizhuterive të floririt. Sapo ka hedhur hapin e parë në argjendari, ai ka ndeshur në rezistencën e gruas që ndodhej aty, e cila është njëkohësisht edhe pronare e pikës së shitjes. Pasi është përleshur me 39-vjeçaren Anjeza Berisha për disa sekonda, e cila po e shtynte që ta nxirrte jashtë biznesit të saj, grabitësi e ka goditur dy herë me thikë në bark dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia është lajmëruar nga personat që kishin dëgjuar thirrjet për ndihmë të Anjeza Berishës, nga dyqanet ngjitur me argjendarinë e saj. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr.3 e më pas edhe oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Gruaja e plagosur është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët thanë se pas një ndërhyrjeje që ka zgjatur disa orë në sallën e operacionit, 39-vjeçarja e ka kaluar rrezikun për jetën, por po mbahet në terapi intensive, për të paraprirë ndonjë komplikacion të mundshëm.
TENTATIVA E GRABITJES
Një djalë i ri, rreth 25 vjeç, me kapele në kokë dhe që mbante në dorë një thikë, dyshohet të jetë autori që plagosi rendë pronaren e një argjendarie në Tiranë, gjatë tentativës për të grabitur bizhuteritë e floririt. Ky ka qenë një përshkrim i përafërt për grabitësin, që është dhënë nga disa dëshmitarë okularë, të cilët kanë parë të riun duke dalë me nxitim nga argjendaria, pasi kishte lënë të shtrirë dhe të gjakosur pronaren 39-vjeçare. Policia tha se ka nisur hetimet për identifikimin e autorit të ngjarjes, ndërsa janë shoqëruar dy persona që dyshohet të kenë dijeni dhe njohje me të. I dyshuari, që sipas Policisë mund të jetë përdorues droge, dyshohet të ketë studiuar fillimisht zonën përreth, ku ndodhen disa argjendari, dhe ka zgjedhur dyqanin e Anjeza Berishës, duke e menduar më të lehtë grabitjen, për shkak se shitësja ishte femër. Por, ngjarja devijoi nga parashikimi i autorit, i cili hasi në rezistencën e gruas 39-vjeçare, e cila edhe pse u kërcënua vazhdimisht me armë, nuk u bind që t’i dorëzonte grabitësit bizhuteritë dhe paratë. Ajo u përlesh me të për disa sekonda dhe gjatë kohës që e shtynte për ta nxjerrë jashtë dyqanit, kërkonte ndihmë me zë të lartë. Kjo dyshohet të ketë qenë arsyeja që autori e ka goditur me thikë dhe është larguar pa arritur të kryejë grabitjen, që ishte edhe “misioni” i tij.
SHOQERIMET
Menjëherë pasi ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, për fiksimin e gjurmëve e provave, policia ka shoqëruar disa dëshmitarë okularë, të cilët kanë dhënë përshkrimet për autorin e ngjarjes. Sipas dëshmitarëve, autori mund të jetë rreth 25 vjeç, trup mesatar dhe në kokë kishte vendosur një kapele, strehën e së cilës e mbante vazhdimisht ulur që të mos i dukej fytyra. Gjithashtu, efektivat e Komisariatit Nr.3 kanë shoqëruar për të marrë në pyetje dy persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen. Por, mësohet se autori ende nuk është identifikuar.
ETLEVA DELIA