E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitësi shqiptar arratiset nga rajoni i policisë në Greqi

Një i ri shqiptar arriti të largohej dje nga mjediset e paraburgimit dhe kërkimet e deritanishme kanë dështuar, pasi policia nuk arriti të bjerë në gjurmët e të arratisurit. I dyshuari, emri i të cilit nuk u publikua nga policia, është dënuar me 13 vjet heqje lirie për grabitje në vitin 2007 të një banke në Grevena. Nën hetim janë vënë tre punonjës policie, që dyshohet se janë përfshirë në ngjarje, duke u investiguar roli i tyre, qoftë në bashkautorësi, apo edhe në moskryerje detyre. Ngjarja ndodhi në rajonin policor të Thivas në Greqi, raportojnë mediat greke. I riu shqiptar 32-vjeçar, emigrant i rregullt në Greqi, vuante dënimin 13-vjeçar për grabitje në burgun e Grevenasë. Më 17 nëntor ai ishte transportuar në qelitë e paraburgimit në Thiva, pasi më 19 nëntor do të dilte për masë sigurie para gjykatës për një tjetër çështje penale. Dje ishte planifikuar ridërgimi i tij në burgun e Grevenasë, por vetëm pak orë para se të kryhej transportimi, i dyshuari ka arritur të kryejë arratinë spektakolare. Gjithçka nisi në orën 08:30, kur shqiptari kërkoi të shkojë në tualet. Pak minuta më pas, ai doli që andej, por tani me një pistoletë në dorë, me të cilën nisi arratinë. Duke kërcënuar me pistoletë mbi kokë policët që u afruan, 32-vjeçari arriti të dalë deri në portën e pasme të rajonit policor dhe që andej u zhduk me shpejtësi, duke përfituar dhe nga fakti se nw atw zonw gjendet një fermë bujqësore. Pas arratisë, nisi një ndjekje policore, e cila zgjati duke nisur nga ora 08:30 e së hënës deri në mesditë, por ajo dështoi pasi i dyshuari arriti t‘i shpëtojë lënies së gjurmëve, duke u larguar me shpejtësi nëpër rrugët që i njeh mirë, për shkak se ka jetuar në Thiva prej kohësh. Policia pranoi se dhe një helikopter që iu vu në dispozicion, nuk arriti të jetë i vlefshëm për të lokalizuar dhe kapur të arratisurin. Nën hetim për ngjarjen janë shefi i rajonit policor të Thivas, një oficer i lartë, si dhe dy punonjës policie të rangut të ulët. Policia po heton se si i dyshuari arriti të largohet nga rajoni dhe për më tepër, duke gjetur në mjediset e brendshme, në tualet, një armë zjarri, tip pistoletë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›