Zbulohet një tjetër "strofull" e Alket Rizait
Një shtëpi e re ku ka banuar shqiptari Alket Rizai gjatë kohës që ishte një nga personat më të shumëkërkuar jo vetëm në Greqi, është zbuluar nga policia në Faro të Avlidhës. Sipas të dhënave të mediave në vendin fqinj, ai ka banuar aty bashkë me të dashurën Sula gjatë gjithë muajit maj. Menjëherë pas informacioneve, polici arriti në vend dhe ushtroi një kontroll të hollësishëm në të gjithë banesën. Në kontrollin që bëri policia, gjeti një këmishë polici të uniformës verore me shenjën e policisë të ngjitur. Gjithashtu u gjetën dhe dy pushkë, një celular, bateri celulari dhe karikues. Gjithashtu nga mediat greke mësohet se gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, të cilët kanë kërkuar të dinin se kush ishin miqtë që e ndihmonin, ai është përgjigjur prerë dhe me përçmim: "Unë i urrej spiunët". Ndërkohë, për armët që u gjetën në shtëpinë e tij gjatë arrestimit, ai tha se i mbante për sigurinë e vetes dhe jo për të kryer akte kriminale. Nga ana tjetër, mikja e tij, ka kundërshtuar të përgjigjet, pasi sipas avokatit të saj, janë duke u mbledhur ende fakte për dosjen e saj dhe sipas ligjit ajo ka të drejtë të mos flasë. Deri tani akuzat zyrtare kundër Rizait janë: rekomandime për organizata kriminale, raste të shumta për armëmbajtje pa lejë në bashkëpunim, rrëmbim në bashkëpunim (rrëmbimi i helikopterit, kur u arratis nga burgu i Koridhalosë), arratisje nga burgu, vjedhje në bashkëpunim, falsifikim dhe përdorje të falsifikimit.