E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Apeli "liron" 21-vjçarin francez

VENDIMI/ Shkalla e dytë e gjyqësorit e ktheu dënimin e Sent Val nga burg në lirim me kusht


SHKODËR - Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin me kusht të francezit 21-vjçar Mishel Reimond Sent Val (Michael Raimond Saint Val).


Nëse në Shkallën e Parë ai u dënua me 2 vjet burg për "trafikim të mjeteve motorike, Apeli ka vendosur për Sent Valin aplikimin e lirimit me kusht, duke e dënuar atë me 4 vjet dhe duke i dhënë kështu mundësinë 21-vjçarit që të udhëtojë drejt vendlindjes së tij. Gjatë kësaj periudhe ai nuk mund të konsumojë vepër apo kundravajtje penale, aq më tepër të përsërisë atë për të cilën është shpallur fajtor, në të kundërt, do t'i duhet të rikthehet në burg.


Francezi Sent Val në vitet 2004, 2005 dhe 2006 ka trafikuar mjete motorike luksoze, të cilat rezultuan të vjedhura. Vetë i dënuari gjatë gjykimit ka pretenduar pafajësi, duke u shprehur se automjetet nuk ishin vjedhur, por denoncimet janë bërë për përfitim të siguracioneve nga pronarët e tyre.


Mishel Reimond Sent Val u ndalua nga policia e Shkodrës në prill të vitit të kaluar. Në atë moment ai udhëtonte me një fuoristradë tip BMV-X5. Pas verifikimeve të kryera në sistemin "Times" dhe kontrollit të të dhënave nga Interpol Tirana, rezultoi se mjeti ishte denoncuar i vjedhur në Francë më 3 prill 2008.


Ndërkaq, shtrirja e mëtejshme e hetimeve nxori në pah se francezi kishte hyrë dhe dy herë të tjera në Shqipëri, në vitet 2006 dhe 2007. Sipas policisë, automjetet me të cilat ai ka hyrë në territorin tonë, në të dyja rastet qenë denoncuar si të vjedhura në Francë. Pas ardhjes në vendin tonë, mësohet se ai e ka lënë Shqipërinë pa këto mjete. Rasti i 21-vjçarit francez nuk është i vetmi në të cilin shtetas të huaj kapen në territorin shqiptar me mjete motorike që deklarohen të vjedhura në vende të ndryshme dhe më pas vijnë e shiten ne Shqipëri.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›