E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet banka në Tiranë, zhduket autori me maskë

Një person i maskuar dhe i armatosur grabiti dje me dhunë filialin e Bankës Raifaizen (Raiffeisen), pranë Zogut të Zi në Tiranë. 

Dashamir Biçaku

Autori i krimit, një person që mbante maskë në kokë, ka hyrë në ambientet e filialit të bankës rreth orës 14:00. Duke përdorur armën si presion në drejtim të njërit prej punonjësve të sportelit, ai ka marrë një sasi prej rreth 300 mijë lekësh të reja që ndodheshin në banak. Grabitësi, pasi ka dalë nga ambientet e bankës ka marrë drejtimin për nga krahu lindor i ndërtesës dhe është futur në një derë që të nxjerr tek një lokal në krahun tjetër të pallatit. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe filloi menjëherë hetimet e para për të zbuluar autorin e krimit si dhe për të zbardhur ngjarjen. Që prej orës 14:00 deri dje në mbrëmje vonë, policia ka shoqëruar më tepër se 20 persona të skeduar me tendenca kriminale në fushën e grabitjeve. Mes tyre ka qenë edhe Sulejman Bakalli, 24 vjeç, i arrestuar dy vite më parë për grabitjen me armë të kasafortës së firmës “Braka”. Dyshimet e policisë mbi këtë person kanë qenë të forta, por sipas burimeve provat kundër tij mungonin. Nga hetimet e para të kryera nga agjentët e policisë si dhe nga oficerët e seksionit të grabitjeve me armë, është mësuar se autori i ngjarjes ka hyrë në mënyrë të befasishme në filialin e bankës, pa marrë parasysh rojën e armatosur që ndodhej aty. Ai i është afruar sportelit dhe i ka kërkuar arkëtares që paratë në bankë të kalonin për të në një qese. Kështu është bërë, arkëtarja ka futur paratë në një qese në presionin e pistoletës dhe më pas autori është larguar. Gjatë kohës që personi po hynte me armë në duar, një nga punonjësit e bankës ka shtypur butonin e banakut, duke lajmëruar menjëherë policinë. Kjo e fundit, sipas njoftimit të bankës, ka mbërritur pesë minuta pas njoftimit në vendin e ngjarjes tek “Zogu i Zi”. Punonjësit e bankës, klientë dhe dëshmitarë të tjerë, i kanë pohuar policisë se grabitësi mund të ishte i moshës 25 vjeç. Ata nuk kanë mundur ta identifikojnë atë për shkak se ka qenë i maskuar. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë janë administruar nga policia për t’u këqyrur, me qëllim gjetjen e elementëve identifikues për autorin e krimit. Në vendin e ngjarjes policia ka marrë për orientim edhe një qen për të ndjekur drejtimin e mundshëm të lëvizjes të autorit të krimit. Grupet e gatshme dhe oficerët e seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe me armë kanë mbërritur në banesat e disa prej personave të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariateve nr.3 dhe nr.1 më tepër se 20 persona të dyshuar. Pjesa tjetër e atyre që kanë hyrë në komisariat, sipas policisë, kanë qenë persona të thirrur në cilësinë e dëshmitarëve, apo që kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Drejtoria e bankës pohoi se asnjë punonjës apo klient i saj nuk kishte pësuar dëmtime nga grabitja, ndërsa shtoi se policia po punon për të zbardhur ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›