E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes në aksident rrugor prefekti i Vlorës, Xhevahir Rexhepi

TIRANE- Vdes në një aksident automobilistik në kryeqytet, prefekti i Vlorës, Xhevahir Rexhepi, rreth 50 vjeç, banues në Tiranë. 

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, kur mjeti i tij me targa VL 0888 C është përplasur me një kamion me targa bullgare. Rexhepi, rreth 50 vjeç, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij nga Vlora në drejtim të Tiranës, për fundjavë për të qëndruar pranë familjes. Sipas burimeve të policisë, prefekti i Vlorës ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Tiranës, i vetëm pa shoferin e tij. Mjeti i kreut të prefekturës së Vlorës është përplasur pranë Doganës së Tiranës me një automjet me targa bullgare, i drejtuar nga një shofer po bullgar. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të hetuar aksidentin dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, mjeti i prefektit vinte në drejtimin nga mbikalimi i kthesës së Kamzës, në drejtim të Tiranës. Mjeti me targa bullgare ka qenë pranë doganës i parkuar në anë të rrugës dhe, sipas burimeve të policisë, mjeti i prefektit është përplasur në pjesën e pasme të kamionit. Me shumë vështirësi policia ka mundur të nxjerrë trupin e pajetë të prefektit. Ndërkaq drejtuesi i mjetit me targa bullgare është marrë në pyetje, por sipas policisë ai nuk ka pasur përgjegjësi në këtë situatë. Sipas hetuesve në vendin e ngjarjes, rruga për shkak të punimeve ka qenë me asfalt të përshkallëzuar, ç’ka ka bërë që mjeti i prefektit të humbasë kontrollin. Ndërkaq specialistë të policisë kanë pohuar mbrëmë për “Panorama” se rruga nuk ka pasur sinjalistikë, ç’ka mund të jetë edhe një nga shkaqet e aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›