E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet dhe goditet polici që punonte taksist

KRUJË- Një punonjësi i forcave speciale të policisë së Tiranës, është grabitur nga dy persona në Bushnesh të Krujës. Sipas burimeve zyrtare të informacionit, punonjësi i repartit special të 712 në Tiranë, pasi ka lënë shërbimin ka dalë të punonte si taksi në afërsi të Zogut të Zi në Tiranë. Ndërsa rreth orës 22:30 minuta, dy të rinj kanë vajtur dhe i kanë kërkuar policit të specialëve, duke e ditur se nuk ishte punonjës policie por taksist, që t’i dërgonte ata për në Laç, përkundrejt një pagese prej 2500 lekëshe. Pasi kanë rënë dakord për pagesën polici, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur është nisur së bashku me dy të rinj për në Laç. Ndërsa janë afruar në fshatin Bushnesh të Krujës, njëri nga të rinjtë i ka thënë taksistit se duhej të linte atë në afërsi të Bushneshit dhe tjetri do zbriste në Laç. Pasi ka lënë rrugën kryesore, njëri nga të rinjtë i është drejtuar taksistit duke i thënë se të ka rënë goma e pasme e pasagjerit. Menjëherë polici ka ndaluar makinën duke dalë jashtë për të parë gomën që, sipas pasagjerëve, i kishte rënë. Ndërkohë që kanë zbritur edhe dy të rinjtë, me pretekstin se do e ndihmonin dhe do ndërronin gomën shumë shpejt. Sapo polici ka dalë nga pas makinës, njëri nga të rinjtë e ka qëlluar me një levë që e mbante poshtë xhupit, duke e lënë në tokë pa ndjenja. Menjëherë dy të rinjtë i kanë marrë pistoletën e shërbimit dhe makinën, si dhe telefonin celular dhe e pasi e kanë larguar në anë të rrugës, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërsa polici ka dalë nga gjendja e të fiktit dhe ka nisur të marrë veten, ka mundur të dalë i përgjakur në rrugën kryesore dhe të kërkojë edhe ndihmën te një roje i një lokali në afërsi të autostradës. Menjëherë roja i lokalit ka lajmëruar policinë, ndërsa një nga punonjësit e lokalit e ka dërguar atë në spitalin rajonal të Laçit, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore, rreth orës 24:00. Menjëherë polici është dërguar në Spitalin ushtarak Tiranë, për shkak edhe të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga plagët e marra, ndërsa Policia e Kurbinit ka njoftuar Policinë e Krujës, duke mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisur kontrollet për gjetjen e autoveturës së policit, si dhe dy grabitësve, por që deri tani nuk kanë mundur t’i gjejnë, as identitetin e grabitësve dhe as mjetin e policit. Ndërkohë që vijojnë kërkimet, policia ka marrë edhe dëshminë e taksistit, i cili ka dhënë informacione për dy grabitësit, duke i përshkruar ata me detaje sa ka qenë në gjendje ai të dallojë e të shikojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›