Vritet në pritë për hakmarrje 64-vjeçari, plagoset dhe një tjetër
VLORË- Një vrasje e ndodhur në vitin 1997 ka sjellë një tjetër vrasje për hakmarrje. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është hakmarrë duke vrarë babanë e personit që i ka vrarë të vëllanë. Ndërsa autorët e vrasjes së 64-vjeçarit i kishin zënë pritë dhe viktima ka qenë i armatosur dhe ka qëlluar mbi atentatorët.
Kështu një 64-vjeçar është qëlluar për vdekje, ndërsa një tjetër person ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Selenicë të Vlorës mbrëmjen e djeshme. Sipas burimeve nga policia e Vlorës, Baftjar Lame ka humbur jetën, ndërsa është plagosur Sako Xhaferi 45 vjeç. Ndërsa mendohet se Xhaferri ka qenë personi që ka qëlluar mbi 64-vjeçarin.
Vrasja
Rreth orës 20.00 të mbrëmjes djeshme në rrugën që të çon nga Selenica për në qytetin e Vlorës, në vendin e quajtur Bishti i Malit, 64-vjeçari Baftjar Lame ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip mercedes benz panorama me targa të Vlorës VL 6368C. Pikërisht në vendin e quajtur Bishti i Malit tre persona kanë qenë duke pritur kthimin e viktimës nga Selenica, ku kishte shkuar për të takuar disa të afërmit e tij për të ardhur më pas në qytetin e Vlorës, ku dhe banonte aktualisht.
Plani
Sipas burimeve nga policia, mësohet se personat i kishin dalë në pritë dhe ishin fshehur në shkurret anës rrugës, sapo kanë parë makinën që Lame udhëtonte, kanë hapur zjarr drejt tij. Ndërkohë mësohet se 64-vjeçari Lame ka reaguar, duke iu kundërpërgjigjur zjarrit me të shtëna nga arma që ai kishte me vete në momentin e ngjarjes. Nga kjo kundërpërgjigje është plagosur njëri nga personat që ka qëlluar drejt tij dhe pikërisht Sako Xhaferaj, rreth 45 vjeç, i cili, sipas burimeve të policisë, ka pasur një konflikt të hapur me viktimën që në vitin e mbrapshtë 1997, ku djali i viktimës, i cili ndodhet aktualisht në burg në Itali, ka vrarë vëllanë e Sako Xhaferrajt. Sipas burimeve nga spitali rajonal i Vlorës, mësohet se i plagosuri është në gjendje të rëndë pas plagëve të marra në kokë, në pjesën e syrit e në trup. Ndërkohë që, sipas policisë, Baftjar Lame është qëlluar me armë kallashnikovë, ku policia pasi ka mbërritur në vendngjarje e kanë gjetur makinën e viktimës në rrugën Selenicë-Vlorë, ku 64-vjeçari kishte ndërruar jetë. Uniformat blu kanë shoqëruar trupin e viktimës për në morgun e qytetit të Vlorës si dhe të plagosurin drejt spitalit rajonal të qytetit të Vlorës. Po kështu kanë nisur hetimet për të zbuluar dhe dy personat e tjerë që kanë marrë pjesë në këtë atentat.