Ndryshimet në qeveri, kozmetikë nën presionin e republikanëve
Eljona Ballhysa
Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar nuk përbëjnë aspak vullnetin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Figura të rëndësishme nga grupi parlamentar i PD-së janë shprehur të pakënaqur me ndryshimet e fundit të qeverisë të propozuara nga kryeministri Berisha. Deputetë demokratë bëjnë të ditur se kreu i qeverisë nuk ka diskutuar asnjë nga ndryshimet e realizuara në qeveri me forumin më të lartë të Partisë Demokrtatike, siç është grupi parlamentar i kësaj partie. Madje shumë deputetë të PD-së mendojnë se këto nuk janë ndryshimet përfundimtare të qeverisë, por vetëm kozmetikë që Berisha është detyruar t’i bëjë Këshillit të Ministrave nga presioni që ka ushtruar Partia Republikane për të marrë një post në qeveri.
Pakënaqësitë
Deputetë të Partisë Demokratike janë shprehur për gazetën se kryeministri Berisha duhet medoemos të bëjë ndryshime të tjera në qeveri para se të fillojë fushatën zgjedhore. Sipas burimeve kryeministri nuk ka “shëruar” ende disa dikastere të rëndësishme ku janë vërejtur ngadalësim i ritmeve të punës dhe i realizimit të reformave. Veçanërisht deputetët demokratë e lidhin pakënaqësinë e tyre, jo me postet që u janë dhënë aleateve, por me përfaqësuesit e tyre në qeveri. Shpeshherë ministrat demokratë në qeveri janë cilësuar “kuaj të lodhur” për shkak dhe të jetëgjatësisë në karriget e ministrave. Në këtë pikëpamje demokratët shikojnë me pakënaqësi qëndrimin e gjatë të ministrit të Financave Ridvan Bode në karrigen e ministrit, në një kohë që qeveria sipas grupit parlamentar të PD-së, është cilësuar qeveria e gjobave. Kjo për shkak të zbatimit të një politike të keqe ekonomike ku qeveria është përplasur jo pak herë me grupet e biznesit. Figura të rëndësishme të PD-së kanë kërkuar jo në pak raste largimin e Bodes nga qeveria, duke i paraqitur hapur në mbledhjet e grupit arsyet e tyre. Kjo dhe për faktin se Bode njihet si “dorështërnguar” për miratimin e investimeve në zona të ndryshme elektorale. Por me dyshim shihet dhe qëndrimi në postin e ministrit dhe Sokol Olldashi për shkak të ritmeve të ngadalta të zhvillimit të infrastrukturës. Deputetët e PD-së megjithëse e vlerësojnë ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës shprehin pakënaqësi që të gjitha fondet për ndërtimin e rrugëve janë përqëndruar vetëm në këtë rrugë.
Ndryshimet
Vetëm pak ditë më parë kryeministri Berisha i ndodhur përballë presionit të Partisë Republikane firmosi ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar. Berisha emëroi në postin e zëvendës kryeministrit Genc Pollon dhe në vend të tij tek Arsimi emëroi Fatos Bejën. Berisha vendosi shkarkimin e Nard Ndokës dhe largimin e tij nga qeveria, dhe në postin e ministres së Shëndetësisë emëroi Anila Godon, vajzën e politikanit të njohur Sabri Godo. Kreu i qeverisë nuk u konsultua me asnjë forum të Partisë Demokratike për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Pritet që me fillimin e legjislaturës së re të Kuvendit në shtator, deputetët e PD-së të parashtrojnë kërkesat e tyre pranë shefit të qeverisë.
2 Gusht 2008