Rama: “Sinjalet e SHBA-ve janë më të forta se ato të 1996-s”
I menjëhershëm ka qenë pozicionimi i kreut socialist Edi Rama, pas mesazheve të dhëna nga Ambasada Amerikane lidhur me regresin e përshpejtuar nga ana e qeverisë shqiptare. “Alarmi i dhënë dje nga miqtë tanë të mëdhenj amerikanë për kërcënimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri duke bërë përgjegjëse qeverinë e zotit Berisha, është jo vetëm shprehja më kuptimplotë e interesimit të Shteteve të Bashkuara për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, por edhe kulmi i shqetësimit të shprehur ndonjëherë prej tyre publikisht në këto 17 vjet si pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë. As në vitin e rëndë 1996 alarmi nuk ka qenë kaq kumbues, interesimi për Shqipërinë e shqiptarët kaq i madh dhe shqetësimi për keqqeverisjen e vendit kaq i hapur”, - ka deklaruar dje Rama. Më tej drejtuesi i socialistëve është shprehur se në njëfarë mënyre, Shtetet e Bashkuara kanë thënë qartësisht atë që opozita ka kohë që e denoncon. “Ato që deri dje i kemi thënë në vijimësi me një shqetësim në rritje të gjithë ne, qytetaret e qytetarët e këtij vendi, në familje a në mjediset shoqërore, gazetarët e analistët në tribunat e shtypit apo njerëzit e opozitës në podiumet e komunikimit publik, qysh dje janë edhe shqetësimi publik i Shteteve të Bashkuara e jo vetëm i tyre. Askush nuk duhet të çuditet. Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku kërcënohen zgjedhjet e lira e ku vullneti i lirë i shqiptarëve e shqiptareve rrezikohet nga po ata njerëz që në vitin e rëndë 1996 projektuan e realizuan krimin shtetëror të manipulimit të votës së popullit dhe sot kontrollojnë Ministrinë e Brendshme për llogari të Sali Berishës”, - tha Rama.
Kambana
Kreu i socialistëve nuk ka asnjë dilemë se mesazhi i dërguar nga amerikanët ishte një “karamele” enkas për kryeministrin e vendit. “Kjo kambanë bie për Sali Berishën! Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku qeveria i kërkon zyrtarisht OSBE-së të shmanget nga roli i saj kryesor dhe të ulë fuqinë vëzhguese në vend, për t'i pasur duart më të lira që të bëjë në vitin 2009 atë që bëri në vitin 1996! Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku pushteti gjyqësor jeton nën kërcënimin konstant të forcave qeverisëse, ku përpara ligjit kryeministri e ministrat e tij pa imunitet nuk janë të barabartë me qytetarët e qytetaret e këtij vendi, ku qeveria harton në errësirë projektligje për t'u mbrojtur nga prokuroria duke izoluar prokuroren e Përgjithshme dhe marrë liri e kompetenca që i takojnë organit të akuzës. Kjo kambanë bie për Sali Berishën! Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku një gjykatës shqiptar, i cili kthehet në atdheun e tij pas një karriere brilante në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, çohet për verifikim nga spikerja e Kuvendit në polici e prokurori dhe pastaj, së bashku me pesë të tjerë, nuk miratohet për Gjykatën e Lartë nga forcat qeverisëse vetëm e vetëm sepse ky grup nuk garanton shërbime të paligjshme për ata që sot qeverisin me korrupsion e papërgjegjshmëri”, - tha ai.
Zaptimi
Sipas kreut të socialistëve, Shqipëria është vendi ku mediat jetojnë nën kërcënimin e xhahilëve të pushtetit kryeministror, ndërsa sipas tij, e njëjta frymë ndihet në të gjitha ndërmarrjet publike që kryejnë shërbime, që nga taksat e tatimet deri te furnizimi me energji e ujë, të cilët në shkelje flagrante të ligjit bëjnë shërbesa me natyrë mafioze duke marrë peng pronarë mediash e botues që nuk e falin e as e shesin lirinë e tyre editoriale. “Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku korrupsioni rritet me shifra e fakte dhe luftohet veç me rrena e fjalë, s'mund të jetë vendi ku popullsia civile bombardohet prej shpërthimit vullkanik të korrupsionit ndërsa kryefajtori kryeministër deklaron se fajin e ka "letra higjienike" New York Times, s'mund të jetë vendi ku nxirret "për zhelesh" nga salla e Parlamentit një deputet i opozitës, pasi është kërdisur me të shara mejhaneje prej kryeministrit dhe ku dënimin e merr i pari, ndërsa pafajësinë i dyti. Kjo kambanë bie për Sali Berishën!” - është shprehur Rama.
2 Gusht 2008