Vasili: “Rama dhe Berisha po gllabërojnë ambientet sportive”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka akuzuar dje publikisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, lidhur me një leje ndërtimi të një pallati në kundërshtim me të gjithë parametrat ligjorë. “Jemi sot përpara jush për të denoncuar publikisht një nga aferat më të rënda korruptive të ndodhura në Tirane me autorë kryetarin e Bashkisë së Tiranës Rama dhe kryeministrin Berisha. Me Vendimin nr. 136 datë 29.12.2007, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dhënë lejen e ndërtimit për pallate banimi mbi klubin sportiv ‘Partizani’, ku përfitues është edhe dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi dhe motra e tij. Ky vendim ka shkelur në mënyrë flagrante dy ligje, ligjin mbi urbanistikën dhe ligjin për sportin, duke asgjësuar ambientet e klubit sportiv ‘Partizani’ për qëllime biznesi të familjarëve të Berishës”, - tha Vasili. Sipas tij, kjo aferë rëndohet në mënyrë skandaloze, sepse sipas tij, kryeministri Berisha pruri dhe miratoi në Parlament pak ditë më parë ndryshimet në ligjin për sportin për të ligjëruar skandalin e lejes së ndërtimit të dhënë në mënyrë të paligjshme që në dhjetorin e vitit 2007 për të afërmit e tij. “Ky skandal është pjesë e ofensivës së pandalshme për masakrimin e të gjitha hapësirave të gjelbra dhe të gjitha terreneve sportive në qytetin e Tiranës. Po kështu, dje u njohëm me vendimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për masakrimin e programuar të hapësirave poshtë digës së Liqenit Artificial, duke përfshirë edhe klubin sportiv “Dinamo”, Kopshtin Botanik dhe Gardën e Republikës. Përmes strategjisë së betonimit sot Tirana është bërë tërësisht pre e pangopësisë korruptive dhe qytetarët e Tiranës ndihen më keq se kurrë në qytetin e tyre”, - tha Vasili. Sipas tij, Tirana është shndërruar në gjahun më të madh për afera gjigante korruptive dhe për pasurimin e vetëm të dy individëve dhe klaneve të tyre. “Kjo aferë është e pambulueshme dhe u bëjmë thirrje publike autorëve të saj të mos guxojnë të bëjnë asnjë tentativë për mbulimin e saj, sepse do të rëndonin akoma edhe më shumë pozicionin e tyre, sepse LSI-ja dhe media e pavarur disponojnë të gjithë dokumentacionin dhe gjurmët shkresore të kësaj afere, por edhe të tjerave, të cilat do t’u vihen në dispozicion qytetarëve të Tiranës dhe drejtësisë, për të bërë një gjykim të dyfishtë, atë të opinionit të gjerë qytetar dhe atë të drejtësisë, që duhet të veprojë në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë hezitim”, - tha Vasili. Sipas tij, aferat e ndërtimeve mes Ramës dhe Berishës janë në themel të aferave të Kushtetutës dhe të aferës së Kodit zgjedhor. “Ky skandal është kulmi i kapjes së shtetit nga Rama dhe Berisha, sepse arrijnë deri aty sa të shpërdorojnë edhe Parlamentin për të justifikuar dhe mbuluar veprimet e paligjshme dhe korruptuese. Në funksion të këtij mbulimi ishte edhe konsensusi PS-PD në miratimin e ligjit për sportin pak ditë më parë”, - tha ai.
2 Gusht 2008