E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Në Shqipëri ka dy opozita”



Gjatë një takimi elektoral në Gjirokastër, kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se në Shqipëri ka dy opozita. “Sot praktikisht kemi dy opozita në Shqipëri. Kemi një të ashtuquajtur opozitë, që drejtohet nga kreu i Partisë Socialiste, që nuk është në opozitë që prej 10 vitesh, por që drejton një parti, e cila është në opozitë edhe në bashkinë e tij, e cila për fat të keq, që prej disa muajsh ka kapitulluar përpara atij oreksi të jashtëzakonshëm të Sali Berishës, për të gllabëruar gjithë llojet e pushteteve në vend. Partia Socialiste, tha Meta, për fat të keq e ka ndihmuar Sali Berishën me votat e saj më 21 prill, për të marrë kontrollin e gjitha institucioneve të tjera dhe për të ecur me dhunë në një marshim autoritarist dhe antidemokratik”, - tha Meta. Sipas tij, Rama dhe Berisha po bashkëpunojnë në mënyrë të paligjshme dhe korruptive për të pasuruar një kastë të caktuar mbështetëse të tyre. “Prandaj dhe u bashkuan bashkë për të dhunuar Kushtetutën në natën e 21 prillit, për interesa të njëri-tjetrit dhe jo për të bërë ndonjë reformë që t’u shërbejë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, - tha ai. Duke u ndalur në shqetësimin e një diplomati të lartë të SHBA-së, Meta u shpreh se ky shqetësim është mjaft i drejtë, pasi vërtet demokracia në Shqipëri është në një situatë kritike.

G99-a: “Kartat e identitetit, në rrezik të dhënat personale”

Lëvizja “G99” ka dhënë alarmin dje se kartat e identitetit nuk japin garancinë e ruajtjes së të dhënave personale. ”Të dhënat personale janë elementë pasurie të një identiteti të pazëvendësueshëm për individët dhe si të tilla ato kërkojnë një vëmendje shumë të madhe në trajtimin e tyre. Mbrojtja e të dhënave personale është sanksionuar në ligj nga Kuvendi i Shqipërisë që në vitin 2003. G99-a vlerëson se është tejet shqetësues anashkalimi dhe shkelja e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe mungesa e vullnetit politik të kësaj qeverie për të ngritur një organ në shërbim të qytetarëve në kuadër të përpunimit të të dhënave personale që synojnë dixhitalizimin e regjistrit themeltar, kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Duke qenë se komisionari i të dhënave personale gëzon, sipas ligjit në fuqi, kompetenca të mëdha: si vendosjen e gjobave mbi organet publike dhe subjektet private që merren me përpunimin e të dhënave; denoncimin në prokurori të çdo forme abuzive të përpunimin të të dhënave; si dhe shqyrtimin e çdo ankese përpara se të ankimohet në gjykatë - mosngritja e këtij organi pengon qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime të mbrojtjes në rast abuzimi me identitetin e tyre”, - shprehet kjo lëvizje.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›