E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja diplomatike, qeveria kërkon të largojë OSBE-në



Qeveria shqiptare është përpjekur që të shmangë praninë e misionit të OSBE-së në Tiranë. Pas alarmit që dha diplomati amerikan, duket se dhe sinjalet që po jep ambasadori shqiptar në OSBE përforcojnë mendimin se qeveria shqiptare ka të tjera plane për vitin 2009. Mjafton të shkëputet vetëm fjala e ambasadorit shqiptar në OSBE, Gilbert Galanxhi, i cili më 17 korrik të këtij viti, gjatë një konference të OSBE-së në Vjenë, ka lënë të kuptohet se Shqipëria mund të mjaftohet vetëm me një vëmendje direkte të BE-së, ndërsa nuk është shprehur qartësisht lidhur me prezencën në terren të përfaqësuesve të OSBE-së. “Qeveria shqiptare është thellësisht e bindur se tashmë ka ardhur momenti për një impenjim cilësor, madje për një impenjim nga të gjitha palët: nga njëra anë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. Duke vërejtur se prioritetet e Presidencës Franceze në BE janë tërësisht në përputhje me linjën e Presidencës Finlandeze të OSBE-së, ne shohim përpara për një drejtim më të mirë, për asistencë dhe monitorim nga partnerët tanë euroatlantikë. Në të njëjtën kohë ne marrim të gjitha përgjegjësitë dhe japim garanci të plotë për përmbushjen e standardeve”, - është shprehur Galanxhi.
Kurthi
Marrja e ftesës së Shqipërisë për anëtarësimin në NATO duket se e ka bërë qeverinë shqiptare të mendojë se ka një kartë në dorë për të hequr qafe misionin e OSBE-së vetëm një vit para zhvillimit të zgjedhjeve. Të dhënat janë se diplomacia shqiptare po kërkon një monitorim të “tërhequr” dhe të përgjithshëm nga BE-ja, ndërsa misioni i OSBE-së në Tiranë është i specializuar në vëzhgimin dhe monitorimin e zgjedhjeve, madje në këto vite ka arritur të krijojë dhe njohje parësore dhe të detajuara për vendin. Por ftesa për në NATO e klasifikon Shqipërinë si një vend që ka bërë përparime, megjithatë vetëm katër ditë më parë, në zgjedhjet e Kasharit, rifilluan akuzat për certifikata të importuara apo dhe për të tjera manipulime. Madje edhe vetë kryeministri i sotëm, kur ishte në opozitë, para zgjedhjeve të 3 korrikut, dënoi ashpër tentativën e qeverisë “Nano” për të zbutur monitorimin e OSBE-së. Por duket se ky veprim do të sjellë një efekt të kundërt për qeverinë shqiptare, duke thithur edhe më shumë vëmendjen e të huajve.
Diplomati
Shqetësimet shkuan edhe më tej në Perëndim, pas një tjetër përpjekje të qeverisë për të sulmuar misionin e OSBE në Tiranë. Diplomati amerikan, që i referohej një fjalimi të ambasadorit shqiptar në Vjenë, i cili la të nënkuptonte te ndërkombëtarët se ky mision në Tiranë është i panevojshëm. Në këtë rast të huajt shtrojnë pyetjen: Pse duhen larguar monitoruesit e huaj pikërisht në prag të një viti elektoral? Këto janë disa nga shqetësimet kryesore që kanë filluar të ngrihen dhe të vlerësohen si tepër serioze nga përfaqësitë e huaja në Tiranë. Shqetësime që sipas tyre përbëjnë arsye të forta për të vënë në pikëpyetje ratifikimin nga disa vende perëndimore, përfshi këtu edhe SHBA-të, të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqetësimi i nisur që në muajin prill vjen menjëherë pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit, por dhe të sondazheve amerikane, ku konfirmohet se korrupsioni në vend është rritur.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›