E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vonesat për shkak të qendrave të numërimit

14/07/2009  Rezultati i zgjedhjeve

Kryeministri Sali Berisha ka pohuar se shpallja me vonesë e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit ka ardhur për shkak të numrit të vogël të qendrave të numërimit të votave. Duke folur për “Zërin e Amerikës”, kreu i qeverisë tha dje se pikërisht numri i këtyre qendrave doli nga parashikimi i ligjbërësve gjatë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. “Ka pasur një moment në këto zgjedhje, që ishte jashtë parashikimit të ligjbërësve dhe ligjvënësve, që ka të bëjë me numrin e sallave të numërimit. U përcaktuan 66 salla, të cilat e bënë procesin e numërimit të zgjatur dhe të lodhshëm, sepse ishte një mbingarkesë, ç’është e vërteta”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Ai ka deklaruar se këto vende të numërimit të votave duhet të dyfishohen në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që edhe procesi i numërimit të jetë më i shpejtë dhe më normal. “Besoj se në zgjedhjet e tjera sallat duhet të dyfishohen”, tha kryeministri Berisha. Ndërkohë duke iu referuar procesit ankimor pas shpalljeve të rezultateve paraprake, Berisha i vlerësoi si më të vogla në numër në krahasim me zgjedhjet e kaluar. “Në qoftë se vlerësojmë tërësinë e ankesave, këto kanë qenë ndër më minimalet në historinë e zgjedhjeve”, - tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›