E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikoi dokumente, shkon si i pandehur

14/07/2009  Në gjykatë Ylli Brahimaj

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka përfunduar procesin hetimor ndaj shtetasit Ylli Brahimaj, i cili akuzohet për një sërë veprash penale që kanë si natyrë falsifikimin. Mësohet se dosja penale me nr. 1612 është regjistruar në gjykatën e Tiranës më 10 korrik dhe pritet që në ditët në vazhdim të fillojë seanca e parë gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Ylli Brahimaj. Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë thuhet se i pandehuri Brahimaj, ka ushtruar aktivitet kriminal duke falsifikuar lloje të ndryshme dokumentesh, si patenta, pasaporta, viza e të tjera. Këtë gjë ai e kryente nëpërmjet disa vulave dhe stampave të disa institucioneve shqiptare, të cilat ai kishte mundur t’i falsifikonte. Mirëpo siç duket në dijeni të këtij aktiviteti kishin rënë edhe specialistët e Prokurorisë, të cilët pas mbledhjes së disa provave materiale kanë urdhëruar arrestimin në flagrancë të të pandehurit si dhe sekuestrimin e të gjitha materialeve të falsifikuara. Mësohet se procesi gjyqësor që do të zhvillohet në Gjykatën e Faktit të Tiranës do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh, me në kryer Sokol Tonën. I pandehuri Ylli Brahimaj është dënuar më parë me 4 vjet heqje lirie për të njëjtën vepër penale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›