E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikuan femra, Apeli lë në burg atë e bir

14/07/2009  Astrit Pata, në vitin 2004, është njohur me Silvana K. dhe i ka premtuar martesë

I kanë mohuar akuzat në gjykatë: Ishte lojë e vajzës që u nda nga djali

TIRANË- Atë e bir që trafikuan femra në bashkëpunim nuk fitojnë në Gjykatën e Apelit asnjë vit ulje dënimi, pasi u dënuan nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda me burg dhe me gjobë, të pandehurit e ankimuan vendimin. Disa seanca ishin orvatje të të pandehurve për të mos rënë dakord me mbrojtjen ligjore. Së fundmi pesëshja gjyqësore e ka normalizuar gjendjen duke marrë vendim për zgjidhje ligjore. Dy mbrojtës një i vendosur nga gjykata dhe një tjetër nga familja do të mbronin interesat e të pandehurve. Dje Apeli i Krimeve të Rënda vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke mos lëvizur as gjobën e marrë. Kështu vendimi i djeshëm i formës së prerë i lë në burg Astrit Patën për 15 vjet dhe e dënon me 7 milionë lekë gjobë, ndërsa të birin Nelgert Patën e lë në burg për 16 vjet dhe një gjobë prej 6 milionë lekësh. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Astrit Pata, në vitin 2004, është njohur me të dëmtuarën Silvana K. dhe i ka premtuar martesë dhe një jetë më të mirë në Greqi. Pasi janë nisur të dy në vendin helen, i pandehuri, nëpërmjet dokumenteve false, e ka dërguar në Norvegji të dëmtuarën, ku e ka pritur i biri Nelgert Pata. Më pas ky i fundit e ka detyruar të prostituojë, ndërsa i pandehuri Pata e ka kërcënuar në telefon, duke e urdhëruar që të vepronte siç thoshte i biri i tij. Ky nuk është rasti i vetëm. Në drejtim të dy të pandehurve at e bir para gjykatës janë hedhur edhe sërë akuzash të tjera. Duke qëndruar në Norvegji për një kohë të gjatë, Nelgert Pata priste “pako” nga i ati që qëndronte në Shqipëri dhe administronte pasuritë e vëna nga paratë e fituara prej prostitucionit. Vajzat e dëmtuara nuk e kanë duruar këtë fakt dhe në rastin më të parë i janë drejtuar organeve shtetërore për mbrojtje. Atë e bir i kanë mohuar akuzat në gjykatë. Madje edhe para Gjykatës së Apelit ata u shprehen se ishte thjesht lojë e vajzës, e cila ngeli e pakënaqur pasi u nda me djalin Nelgert Pata dhe gjeti variantin për ta akuzuar. Por provat për gjykatë treguan të kundërtën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›