E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet kryevepra, ikonostasi 200 vjeçar i Kishës së Leusës



Izaura Ndoj

Një tjetër rast i dhunimit të objekteve të kultit është shënuar në qarkun e Gjirokastrës. Pjesë të gdhendura me një mjeshtëri të rrallë të ikonostasit mbi 200 vjeçar në kishën e Shën Mërisë në fshatin Leusë, rreth 3 kilometra larg qytetit të Përmetit, janë vjedhur në orët e para të së enjtes nga persona ende të paidentifikuar. Ka qenë kujdestari i kishës ai që ka konstatuar dhunimin, ku persona deri tani të paidentifikuar kanë shpërthyer derën e kishës monument të quajtur Fjetja e Hyjlindëses Mari, në Leusë, Përmet, dhe më pas kanë zhveshur ikonostasin e saj me famë për vlerat e rralla nga pjesët e gdhendura.
Forcat e policisë janë lajmëruar mëngjesin e djeshëm për vjedhjen dhe mbërritën menjëherë pranë kishës për të bërë këqyrjen e provave dhe po kryejnë hetimet e rastit. Në një deklarate për shtyp, Kisha Autoeqefale e Shqipërisë shprehet rreth shqetësimit për cenimin e këtyre veprave të papërsëritshme dhe mos gjetjen e autorëve. Shqetësimi rritet duke parë se autorët e grabitjeve të mëparshëm në këto zona nuk janë gjetur. (kujtojmë se vetëm kisha e Bënjës është vjedhur tri herë gjatë vitit 2009). Ndërkohe ky ikonostas konsiderohej si një kryevepër e arteve të aplikuara në objektet e kultit të vendit tonë dhe datonte vitin 1817. Kisha e Shën Mërisë -Leusë ngrihet në një lartësi që zotëron në luginën e lumit të Vjosës dhe është e dukshme nga larg, madhështore në mes të qiparisave dhe gjelbërim të përhershëm. Duke ju referuar mbishkrimit të pikturuar mbi portën e hyrjes nga ana veriore, ikonostasi të tregon se Kisha e Leusës ka përfunduar në vitin 1817. Në anën jugore i bashkëngjitet një paraklis i vogël, i ndërtuar më vonë. Naosi është një ndërtim bazilika me kupolë, me përmasa të brendshme 18.20 x 14.20 metra. Dy radhë kolonash e ndajnë atë në tre nefe, nga të cilët nefi qendror ka përmasa në plan dhe në hapësirë shumë të mëdha nga ato të nefeve anësore. Një sistem harqesh në të dy drejtimet lidhin kollonat ndërmjet tyre dhe me muret perimetrale, duke krijuar bërthama katrore në nefet anësore dhe drejtkëndëshe në nefin qendror. Në pjesën qendrore ngrihet kupola mbi një tambur të lartë mbi 10 metra. Në çiftin lindor në kolonave ishte mbështetur ikonostasi luksoz (grabitur sot), i stolisur me gdhendje të thella deri në 7 cetrimetra, të cilat së bashku janë konsideruar si kryevepra të arteve të aplikuara. Ndërsa afreskimi i kishës është bërë në vitin 1812, ndërsa besohet se ndërtimi fillestar i saj është më i hershëm dhe se ka pësuar rikonstruksione në vite. Kështu autorët e disa grabitjeve të kishave të ndodhura më parë për policinë kanë mbetur ende mister gjë e cila ka rritur shqetësimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›