Grabitet makina me foshnjën 1 muajshe

Vendi ku çifti Mellani la makinën me foshnjën brenda
Një foshnjë është përballur me anën e errët të botës kriminale pa bërë ende 40 ditë, por fatmirësisht u gjet disa orë më pas shëndoshë e mirë.
Fëmija po flinte i vetëm brenda mjetit që prindërit e lanë të ndezur për pak minuta për të parë një frigorifer në një dyqan të pajisjeve shtëpiake. Por, një person i paidentifikuar e grabiti mjetin e lënë ndezur, me sa duket pa e ditur se në sediljen pas tij ndodhej foshnja.
Grabitja
Ngjarja, sa e pazakontë, aq edhe dramatike që la të shokuar prindërit e rinj ndodhi rreth orës 22:00 të së hënës në Durrës. Rreth orës 22:00 të së hënës, shtetasi E. Mellani, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte me automjetin e tij tip Mercedez Benz me targa polake KR 535 RL së bashku me bashkëshorten A. Mellani, 24 vjeçe, djalin dhe vjehrrin e tij, në Lagjen Nr. 13 Plazh Durrës, sektori Iliria, kanë ndaluar dhe shkuar në një dyqan rreth 10 metra larg automjetit në të cilin kanë lënë fëmijën e tyre një muajsh (për të parë për një frigorifer). Në këtë moment, një person i paidentifikuar është futur në automjetin, i cili ka qenë i ndezur dhe është larguar në drejtim të Urës së Dajlanit, bëri të ditur Policia e

Mjeti që u gjet i braktisur në Milot
Durrësit. Sipas dëshmisë së dhënë nga prindërit pas ngjarjes, ata e kanë lënë pak metra larg mjetin dhe herë pas here shihnin nga dritarja nga frika se ndonjë efektiv i Qarkullimit Rrugor mund tiu vendosje ndonjë gjobë. Por, pasi janë konsultuar me shitësin në lidhje me markat dhe çmimet e disa frigoriferëve, papritmas i ati i foshnjës ka konstatuar se mjeti nuk ndodhej më në vendin ku e kishin lënë. Të alarmuar, burrë e grua të sapo bërë prindër, sinjalizuan policinë duke raportuar se në mjetin që u grabitën sa hap e mbyll sytë, kishin lënë foshnjën e tyre. Policia e Durrësit u vu në alarm duke sinjalizuar për ngjarjen Policinë e Tiranës, atë të Krujës, të Kurbinit, të Lushnjës etj., duke dhënë targën dhe të dhënat e mjetit.
Gjetja e foshnjes
Autori i ngjarjes ka nxituar drejt Tiranës, por dyshohet se të qarat e fëmijës janë bërë bezdisëse për të. Ai ka shkuar në afërsi të një karburanti në Laprakë dhe e ka lënë foshnjën vetëm pak metra larg. Roja i karburantit mësohet se ka konstatuar i pari fëmijën që qante vetëm pak metra larg tij. Ai sinjalizoi menjëherë policinë, e cila mbërriti në vend. Në orën 23:30 u bë e mundur gjetja e fëmijës E. M., që ishte braktisur në Laprakë të Tiranës, në afërsi të një karburanti. Foshnja u dërgua menjëherë pranë Spitalit të Fëmijëve, ku iu nënshtrua një ekzaminimi të përgjithshëm, nga i cili rezultoi se gëzonte shëndet të plotë. Pas njohjes, fëmija iu dorëzua prindërve të tij, bëri të ditur Policia. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara dhe krehjes së territorit në bashkëpunim edhe me Policinë e Laçit, u bë e mundur që mjeti i vjedhur të gjendej i braktisur në Milot. Blutë ende nuk kanë mundur të kapin autorin, por në mjet janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme, nga ku me anë të shenjave të lëna në të të mund të identifikojnë dhe kapin autorin që vuri në alarm nënën e fëmijës, me profesion farmaciste, të atin dhe të gjithë familjen e tij. Mësohet se çifti i ri me origjinë nga Burreli jetonte në kryeqytet. Çifti po udhëtonte nga Tirana drejt Shkëmbit të Kavajës për në shtëpinë e tyre të re te Shkëmbi i Kavajës, kur në një moment kanë ndaluar për të parë për një frigorifer kur konstatuan se dyqani i pajisjeve shtëpiake ishte ende i hapur.
Lamë fëmijën në makinë që të mos zgjohej
Dëshmia e babait: Nga dritarja vura re mjetin që ishte zhdukur, su besoja syve
Në gjendje mjaft të rëndë psikologjike, prindërit e foshnjës kanë deponuar për Policinë e Durrësit gjithçka u ndodhi në harkun e pak minutave. Babai, E. Mellani, është shprehur se e kishin lënë fëmijën në makinë pasi po flinte dhe nuk donin ta zgjonin. Por ata as e kishin menduar ngjarjen që i la të shokuar. Po shkoja bashkë me gruan për te Shkëmbi i Kavajës. Kur po kalonim në sektorin Iliria, vendosëm të ndalonim në një dyqan që kishte pajisje shtëpiake, për të parë për një frigorifer. Bashkë me ne ishte edhe vjehrri (babai i nuses), i cili erdhi së bashku me ne brenda në dyqan. Fëmijën nuk e morëm me vete, pasi po flinte dhe nuk donim ta zgjonim. Nuk menduam se do të vonoheshim shumë, prandaj dhe e lamë makinën ndezur. Kështu është shprehur 32-vjeçari teksa ka bërë denoncimin në polici menjëherë pas ngjarjes që vuri në alarm blutë. Sipas dëshmisë së tij, mjeti që e kishin lënë në anë të rrugës dukej edhe nga dyqani i pajisjeve. Herë pas here shikonim jashtë për mjetin. Shikoja me frikë më së shumti se mos vinte ndonjë polic i Rrugores dhe vendoste ndonjë gjobë. Por, për këtë që ndodhi nuk na kishte shkuar kurrë në mendje. Kur kaluan disa çaste, ktheva sërish kokën për të parë, por vura re se makina nuk ndodhej më në vendin ku e kisha lënë të parkuar. Dola menjëherë jashtë. Kontrollova dhe nuk po u besoja syve se makina ishte zhdukur së bashku me të voglin. Nuk dinim se çfarë të bënim, na kapi paniku të gjithëve siç ishim dhe lajmëruam policinë. Kjo mësohet të ketë qenë dëshmia e babait 32-vjeçar, i cili mbrëmjen e së hënës përjetoi momente paniku për foshnjën që kishte sjellë në jetë rreth një muaj më parë. Burime të Policisë bënë të ditur se çifti ishte mjaft i tronditur për ngjarjen e rëndë. Nëna e vajzës, farmaciste në Tiranë, nuk ka qenë në gjendje ta përshkruajë ngjarjen. Por, aventura e fëmijës një muajsh fatmirësisht përfundoi shpejt dhe policia ua riktheu foshnjën prindërve shëndoshë e mirë.
HETIMI
Policia e Durrësit bëri të ditur mbrëmë se në grabitje ka marrë pjesë vetëm një person dhe se së shpejti ai do të zbulohet. Mjeti tip Benz me targa polake i është ushtruar një kontrolli të imtësishëm me qëllim gjetjen e ndonjë shenje të mundshme që mund të kishte lënë autori. Tashmë ekspertët janë në studiot e tyre, ku po ekzaminojnë dhe përshtatin provat e gjetura, të cilat do të na çojnë drejt identifikimit të hajdutit, dhe kjo është vetëm çështje orësh, bënë të ditur burimet policore. Në Policinë e Durrësit, por edhe të Laçit, mësohet se janë shoqëruar disa të dyshuar për ngjarjen.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ