Vlora në qetësi, prej disa muajsh pa vrasje e grabitje

Kreu i Policisë së Vlorës, Artan Cuku
Cuku: Masa për sezonin turistik.
VLORE – Qyteti i Vlorës ka rënë në qetësi. Prej disa muajsh, në dosjet kriminale të Policisë kanë munguar ngjarjet e rënda, si vrasje e plagosje, grabitje të bankave apo të bizneseve në mes të ditës. Gjatë kësaj periudhe ka pësuar ulje të ndjeshme edhe krimi i rrugës, situatë e cila garanton siguri më të madhe për këtë sezon turistik, ku mijëra pushues pritet të zgjedhin bregdetin e Vlorës. Kreu i Policisë, Artan Cuku, u shpreh se Vlora është tashmë një qytet i qetë dhe se janë marrë masa për të siguruar rendin në këtë sezon.
Z. Cuku, që prej emërimit tuaj në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Vlorës nuk kanë ndodhur krime të rënda. Si është arritur kjo?
Sapo u emërova në Drejtorinë e Policisë së Vlorës u njoha imtësisht me problematikën e të gjithë sektorëve, me ndihmën edhe të specialistëve nga të gjithë sektorët, si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, janë marrë masa konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, krimit të rrugës, krimeve ndaj personit, eliminimin e vjedhjeve. Në sajë të këtyre masave, pas 6 muajsh kemi rezultate konkrete. Gjatë kësaj kohe kemi pasur bashkëpunim të ngushtë edhe me qytetarët dhe median.
A mund të themi se Vlora tashmë është një qytet ku siguria e rendi janë të garantuara?
Puna e strukturave të Policisë është në vazhdimësi. Duke pasur parasysh disa ngjarje të rënda të ndodhura më parë, si vrasje, disa shpërthime me lëndë eksplozive dhe ngjarje të tjera, tashmë gjithçka është e qetë. Vlen për ti falënderuar punonjësit e Policisë së Vlorës për punën e bërë deri tani. Me plot bindje themi se Vlora tashmë është shumë e qetë dhe shumë e sigurt, si për qytetarët e saj, por edhe për pushuesit.
Cilat janë masat që ka ndërmarrë Policia e Vlorës për muajt e verës, ku dyndja e pushuesve është mjaft e madhe dhe ka gjasa që ngjarjet kriminale të ndodhin?
Ka disa masa konkrete. Do të ketë shërbime policore në lëvizje me mjete dhe disa shërbime me lëvizje më këmbë përgjatë 24 orëve në të gjitha rrugicat e qytetit, si dhe gjatë të gjithë sipërfaqes bregdetare turistike. Ditët e fundit kemi ngritur dhe një skuadër prej 25 motorësh, të cilët do të veprojnë më shpejtësi në të gjithë territorin, aty ku nuk shkojnë dot në kohë mjetet e policisë. Kjo skuadër ka marrë trajnim për ndërhyrje në të gjitha ngjarjet. Po ashtu, policia ka shpërndarë fletë-palosje dhe ka vendosur numrin e telefonit jo vetëm të shërbimit të policisë, por dhe të vetë drejtorit të Policisë, ku qytetarët mund të kontaktojnë për çdo problem që hasin. Për një sezon turistik sa më të qetë, kemi vendosur skuadra të policisë në lëvizje, si dhe të përqendruara. Jo vetëm të policisë së rendit, por dhe të ndërhyrjes së shpejtë për turistët. Pra, nëse do të kërkojnë ndihmë, do tu jepet, madje duke i shoqëruar deri në destinacionin e tyre. Do të vëzhgohen të gjitha plazhet, hotelet dhe qendrat kryesore të gjatësisë së bregdetit, për të garantuar qetësi në plazhe. Nëse do të ketë lëvizje me autobusë në mënyrë të organizuar, do të shoqërohen me punonjës policie.
Cilat janë disa nga rezultatet e arritura deri tani për 6 muaj që ju jeni në krye të Policisë së qarkut të Vlorës?
Krimet e rënda janë ulur në masën 50 për qind. Ka një rritje të zbulueshmërisë së krimeve në përgjithësi. Për kultivimin dhe kapjen e lëndëve narkotike, Policia e Vlorës ka bërë një punë të mirë, ku për një periudhë gjashtëmujore janë sekuestruar 4200 kg. Policia e Vlorës ka bërë një performancë të dukshme kundër krimit të organizuar, duke ulur në mënyrë të ndjeshme krimin dhe kultivimin e bimëve narkotike, si dhe do të garantojmë qetësinë e qytetarëve të Vlorës dhe të pushuesve që do të frekuentojnë bregdetin. q.b