E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë nënë e bir në Itali, arrestohen dy emigrantët

Banesa ku ndodhi ngjarja në Peruxhia

Autorësia e një ngjarjeje të rëndë që tronditi banorët e Peruxhias në Itali, ku nënë e bir u gjetën të masakruar në vilën e tyre më 7 prill të këtij viti, iu është adresuar dy të rinjve lezhjanë.
Policia e Lezhës i arrestoi ata mbrëmë, duke ekzekutuar fletë-arrestet e firmosura nga Drejtësia italianë. Ndrec Laska, 29 vjeç dhe Artan Gjoka 24 vjeç, u prangosën gjatë një operacioni të koduar Shkëmbimi. Ndaj këtyre dy shtetasve ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga Gjykata e Peruxhias, e cila i akuzon ata për vrasjen e Maria Scoscia (Raffaelli) 72 vjeçe dhe djalit të saj 52-vjeçar, Serxhio Scoscia, bëri të ditur Policia. Mësohet se blutë i kanë mbajtur në vëzhgim prej disa ditësh dy të rinjtë, të cilët kanë qenë prej disa vitesh emigrantë në Itali dhe janë kthyer menjëherë pas krimit të rëndë. Pas arrestimit, në Lezhë do të vijnë prokurorët italianë të çështjes, për të formalizuar ekstradimin e tyre drejt Peruxhias. Ata akuzohen për grabitje me pasojë vdekjen e dy personave. Ngjarja u zbulua mëngjesin e 7 prillit, ku nipi 20-vjeçar gjeti të vdekur brenda shtëpisë së tyre në një prej lagjeve të Peruxhias gjyshen dhe xhaxhain e tij, Maria dhe Serxhio Scoscia. Shtëpia ishte tërësisht në rrëmujë. Sipas Policisë, viktimat kishin një biznes argjendarie, e cila mendohet se është bërë shkak për grabitjen e tyre, pasi nënë e bir jetonin së bashku, pa asnjë person tjetër. Në vendin e krimit nuk janë gjetur shenja të përdorimit të armëve, por një çekiç dhe një daltë. Ajo që dyshohet se nisi si një plaçkitje, përfundoi në tragjedi për nënë e bir. Policia gjeti shenja gishtash dhe njolla gjaku që dyshohej se i përkisnin njërit prej autorëve. Në trupin e 52-vjeçarit kishte shenja dhune të egër, kryesisht në kokë, gjoks dhe këmbët, të cilat kanë qenë vdekjeprurëse për të. Hetuesit dyshojnë se gjithçka është kryer në sytë e 72-vjeçares, e cila ka qenë e lidhur dhe e detyruar për të parë torturat e të birit si një formë presioni për të treguar të hollat apo sendet me vlerë që mund të kishin në shtëpinë e tyre. Pas djalit ata kanë vrarë edhe të moshuarën. Për të hyrë brenda, të rinjtë nga Lezha kanë përdorur një dritare në pjesën e prapme të vilës.                  gj.f

Gjurmët në vendngjarje
Grupi hetimor gjeti shenja të gishtave në karrige, në shkallë dhe në kopshtin e shtëpisë, të cilat janë analizuar nga Policia Shkencore. Sipas një rindërtimi hipotetik të skenës, Sergio Scoscia u rrah për vdekje për ta shtrënguar të jepte gjithçka me vlerë që kishte. Ndërsa nëna e tij ka pasur shenja të pakta dhune. Një muaj para krimit ata kishin pësuar një tentativë grabitjeje në shtëpi. Ndërsa tentativa e dytë rezultoi tragjike. Provat e mbledhura në vendngjarje dhe ekspertiza e kryer në to ka sjellë akuzën ndaj dy lezhjanëve, të cilët ishin kthyer pas vrasjes në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›