E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje mes bandave, vritet shqiptari, plagosen 2 të tjerë

30/03/2009  Ngjarja ndodhi në një shesh të qytetit Arrezo për prishje të pazareve të drogës

AREZZO- Agim Leka, emigrant me dokumente të rregullta në Itali ka mbetur i vdekur si pasojë e një përplasje midis dy grupeve kriminale shqiptare në qytetin e Arrezos. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm, ku disa persona janë përplasur me njëri-tjetrin me pistoleta dhe kaçavida. Viktimë e kësaj përplasje, (për të cilën ende nuk dihen motivet) ka mbetur 20-vjeçari Agim Lika si dhe janë plagosur dy persona të tjerë, ku njëri prej tyre quhet Rodjan Ruçi. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia italiane e lajmeve ANSA, e cila i është referuar burimeve të saj në hetuesinë e qytetit italian. Sipas hetimeve të Prokurorisë italiane, personi i mbetur i vrarë është Agim Leka, i cili nga verifikimet e agjentëve rezulton se është emigrant me dokumente të rregullta. ANSA raporton se i riu shqiptar ishte çuar në spitalin e Arezzos me një makinë, e cila pasi e kishte lënë afër derës, ishte larguar menjëherë në drejtim të paditur. Mësohet se nga britmat dhe lutjet për ndihmë të 20-vjeçarit kishin dalë jashtë infermierët, të cilët kanë konstatuar se ai ishte në një gjendje kritike për jetën. Sipas medias italiane Agim Leka, kishte vdekur vetëm pak minuta më pas për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë nga disa plumba pistolete. Ndërkohë që dy shqiptarët e tjerë të plagosur kanë mbërritur në spital me ndihmën e një ambulance. Njëri prej të plagosurve është Rodjan Ruçi, 27 vjeç, i cili ka marrë plagë në kofshë, dhe pasi është operuar është nën kontroll të mjekëve. Ndërsa nuk bëhet i ditur emri i personit të tretë, i cili sipas medias italiane është edhe ai shqiptar. Mësohet se ky i fundit ka plagë të shkaktuara ndoshta nga një kaçavidë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një nga sheshet e Arezzos në Itali. Strukturat policore të këtij qyteti ende nuk kanë dalë në një konkluzion përfundimtar se cili ka qenë motivi i këtij sherri. Ndërkaq që skuadra e policisë e drejtuar nga vetë drejtori Marco Dalpiaz së bashku me një hetues, po mbledhin dëshmi në vendngjarje për të ndërtuar dinamikën e përplasjes. Megjithë përpjekjet e tyre, kjo gjë sipas agjencisë italiane të lajmeve është e vështirë, pasi rreth orës 04:00 të mëngjesit në shesh nuk ka pasur shumë njerëz. Nga të dhënat e para mësohet se gjatë përplasjes është vjedhur dhe makina e një shqiptari, e cila më pas u gjet poshtë një banese në rrugën ku ndodhi dhe përplasja. Aktualisht policia pret përmirësimin e gjendjes shëndetësore të dy personave të plagosur, në mënyrë që më pas të marrë deklarimet e tyre për motivet e ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›