E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me armë pika e lotove sportive

Fushë Krujë, një 40-vjeçar ka hyrë me kallash në dorë dhe ka marrë paratë e xhiros ditore të lokalit



FUSHË KRUJË- Një person i armatosur ka grabitur mesnatën ndërmjet të premtes dhe të shtunës një pikë lotoje në qytetin e Fushë Krujës. Ai ka hyrë me një kallashnikov në dorë dhe i ka kërkuar punonjësve që ishin brenda që të mos lëvizin ose në rast të kundërt do t'i qëllojë. Arma që u ishte drejtuar personelit ishte e mbushur me fishekë dhe grabitësi ka terrorizuar tërë personat që po kalonin orët e natës në këtë lokal lojërash fati. Në një moment ai ka shkrepur armën duke bërë që të gjithë punonjësit të shtriheshin përdhe nga frika e plumbave. Pas kësaj grabitësi ka marrë të gjitha paratë e xhiros ditore të lokalit dhe është larguar qetësisht që aty.
Dëshmitarët okularë pohuan se grabitësi ka hipur në një makinë me targa të Kosovës por pa mundur që të fiksojnë qartë numrat. "Nga veprimet e para hetimore rezulton se autori e ka kryer vjedhjen me një armë të tipit kallashnikov, me te cilin ka qëlluar disa herë duke shkaktuar dëme materiale në lokal si dhe ka marrë shumën prej 400.000 lekë te reja. Ai është larguar nga vendi i ngjarjes me një mjet tip Benz me targa të Kosovës",- thanë burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas burimeve të informacionit, në piken e lotos ndodheshin rreth 15 persona, të cilët janë detyruar që të struken nga frika e vrasjes. Ata kanë dëgjuar makinën që ka ndaluar me shpejtësi përpara dyqanit por nuk kanë menduar për grabitje. Nga dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal në momentin e grabitjes policia ka mundur që të zbulojë emrin e personit të dyshuar. Ai është 40-vjeçari Ismet Rryçi nga Thumana e Krujës dhe dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit. M. Brunga

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›