E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dënuari tenton të presë damarët

Alket Bita është dënuar me 16 vjet burg për vrasje por nuk pranon të ketë kryer krimin. Pret damarin e njërës dorë

FIER- Një i dënuar me 16 vjet burg nga Gjykata e Fierit ka tentuar të presë damarët në shenjë proteste për dënimin e dhënë. Alket Bita është dënuar për veprën penale të vrasjes ndaj shtetasit Astrit Rustemi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1997 pranë ish bazës së tubove të Fierit. I pandehuri, gjatë seancave gjyqësore, të cilat kanë zgjatur rreth një vit, nuk e ka pranuar akuzën e vrasjes. Por gjykata, duke iu referuar fakteve të dokumentuara gjatë seancave gjyqsëore e ka cilësuar atë fajtor për këtë vrasje. Prindërit e të pandehurit Alket Bita kanë reaguar ndaj këtij vendimi të gjykatës. Nëna e tij, Shazie Sakaj, është shprehur se djali i saj nuk e ka bërë këtë vrasje. Pas dënimit, Alket Bita është shoqëruar në një nga burgjet e Tiranës ku do të kryeje dënimin dhe aty, sipas nënës së tij, ka prerë damarët në shenjë proteste me qëllim që t'i jepte fund jetës. "Nuk e dua më jetën",- i ka thënë ai nënës së tij kur ajo e vizitoi në spitalin e burgut pas prerjes së damarëve të njërit krah. "Unë jam dënuar pa të drejtë, nuk e dua më jetën kur unë jam dënuar pa prova",- ka thënë ai. Djali aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e burgut jashtë rrezikut për jetën. K. Th

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›