Berat, hiqen nga puna 54 mësues
Urdhri i Ministrisë së Arsimit shkurton numrin e mësuesve beratas. Shkaku zyrtar, ulja e numrit të nxënësve në nivel qarku
BERAT- Një urdhër i Ministrisë së Arsimit ka larguar nga puna 54 mësues beratas vetëm një ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor. Shumica prej tyre kanë rendur tek Drejtoria Arsimore, për të mësuar të vërtetën e largimit nga puna dhe kanë marrë përgjigjen e prerë: Është urdhër i Ministrisë së Arsimit. Në të vërtetë ka një urdhër të Ministrisë që të largohen nga puna të gjithë ata mësues që nuk plotësohen me numrin e domosdoshëm të nxënësve, dhe Berati është rrethi që ka një ulje të konsiderueshme të numrit të nxënësve, ndaj dhe numri i mësuesve të mbetur pa punë është më i madh se në çdo rreth tjetër. Sipas kreut të Drejtorisë Arsimore Rajonale, Yzedin Hima, Berati është rrethi që ka numrin më të madh të mësuesve që dalin pa punë. "Është krijuar një situatë e vështirë për t'u menaxhuar, por fakti është se numri i nxënësve nuk garanton e nuk plotëson normën e një mësuesi, ndaj kjo është arsyeja kryesore e shkurtimeve. Është logjike që atje ku nuk ka nxënës nuk ka as mësues", - ka argumentuar Hima. I pyetur se cilat shkolla e zona kanë numrin më të madh të mësuesve të larguar, Hima ka shpjeguar se "Numri më i madh i mësuesve të larguar është nga shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe nga zonat rurale, ku numri i nxënësve është minimal ose mungon fare". Theksojmë se Berati kohët e fundit ka një superprodhim të mësuesve të diplomuar në sistemin universitar me "Part Time" dhe kjo ka bërë që të rriten kërkesat për punësim dhe vështirësitë e Drejtorisë Arsimore për t'i sistemuar në punë, aq më shumë kur një gjë e tillë ndodh në një kohë kur numri i nxënësve sa vjen e bëhet më i ulët. Mësuesit që rrezikohen të mos gjejnë një vend pune janë ata që kanë mbaruar studimet për cikël të ulët, degët histori - gjeografi, gjuhë - letërsi dhe më të kërkuarit janë mësuesit e lëndëve të shkencave të natyrës kryesisht matematikë e fizikë.
Sipas Himës, nga 54 mësuesit e larguar 50 janë për mungesë të numrit të nxënësve dhe vetëm katër janë larguar për faktin se nuk plotësojnë kriteret e nivelit mësimor. Nga verifikimi i listës së të larguarve del se ka shumë mësues që kanë mbi 30 vjet gjë që vështirëson shumë ambientimin e tyre me statusin e të papunit, pasi dihet që ata nga momenti i largimit nuk përfitojnë asgjë, përveç një asistence njëvjeçare. Pavarësisht nga ky lajm, për Himën shkollat në Qarkun e Beratit do të fillojnë normalisht dhe pa ndonjë problem kuadri apo infrastrukture, gjë që garanton një vit shkollor të mbarë. Rushan Dosti