Lihen të lirë të arrestuarit e operacionit "Udhëtari"
Pronari i një dyqani dhe dy shoferët që u kapën me 120 mijë euro veshje kontrabandë do të gjykohen në gjendje të lirë
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të institucionit të akuzës, vendosi të lërë të lirë me masën e sigurisë detyrim për paraqitje tre të arrestuarit e katër ditëve më parë, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të kontrabandës. Mëngjesin e djeshëm, me kërkesë të prokurores së çështjes, gjyqtari Gerd Hoxha shqyrtoi kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasve Pëllumb Shelqezi, Romeo Karafili dhe Shkëlqim Sadiku. Ndaj të tre të arrestuarve të policisë së shtetit në operacionin e koduar "Udhëtari" prokuroria ka ngritur akuzën e kontrabandës me mallra të tjerë, për të cilën do të hetohen në gjendje të lirë, me masën e sigurisë detyrim për paraqitje. Para togave të zeza, dy shoferët, Pëllumb Shelqezi dhe Romeo Karafili, kanë pranuar se çantat me rroba i kishin marrë në Greqi nga një shtetas shqiptar kundrejt një pagese për t'i sjellë në Tiranë, por, nuk dinin se çfarë kishte brenda. Ndërkohë, pritësi i mallit, shtetasi Shkëlqim Sadiku, u shpreh se "nuk e di çfarë duhet paguar, pasi mallin mua ma dërgonte një i afërmi im". Sipas prokurorisë, ata dyshohen se po transportonin mall pa doganë nga Greqia me një vlerë prej 120 mijë eurosh, duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore e doganore. "Të arrestuarit sillnin nga Greqia nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Kakavijë, mallra industriale, si pantallona xhinse, këmisha, jelek xhinsi, xhaketa të ndryshme dhe bluza të llojeve të ndryshme, të cilat i kalonin të fshehura në autobus me qëllim shmangien nga detyrimet doganore",- thuhet nga akuza. Sipas tyre, dy shoferët Shelqezi e Karafili dhe pritësi i mallit Sadiku u arrestuan në flagrancë në rrugën "Jordan Misja", në një parkim autobusësh pranë vendit të quajtur "Nyja e Betonit", në momentet që po kalonin mallin kontrabandë nga autobusi me targa "TR 7215 L tek një automjet tjetër me targa të huaja, tip "Opel Vektra", me targa "IHT 4344", i cili drejtohej nga pritësi.